Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare(ARKEP) ka vendosur që numeracionin e alokuar deri më tash të Z mobile t’ia kalojë në shfrytëzim Telekomit të Kosovës.

Z Mobile njofton se kjo ka ndodhur në mesnatë, me të filluar të datës 28.11.2019, kur edhe ka pushuar dhënia e shërbimeve nga Telekomi i Kosovës për nevoja të Z Mobile.

“Me keqardhje, ju njoftojmë se me këtë vendim ne nuk jemi pajtuar dhe kjo situatë e krijuar është jashtë vullnetit tonë si kompani. Kështu që jemi të obliguar të ju informojmë se nga sot, më 28.11.2019, Z Mobile pushon së dhëni shërbime për klientët. Na vjen keq për çfarëdo bezdie që mund të ju shkaktohet nga gjendja e krijuar”.