Partia shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim, fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare e ka filluar në Prespë, qytet ky në jug të Maqedonisë së Veriut, duke vënë theksin në idenë e madhe, siç e kanë quajtur, për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar, përmes promovimit të Naser Ziberit si kandidat për këtë post.

Kandidati për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi, në konventën promovuese të Bashkimit Demokratik për Integrim në Prespë, të mërkurën ka theksuar se në këtë moment “i gjithë vendi po flet, por jo vetëm vendi, po flet rajoni, po flet komuniteti ndërkombëtar për një ide e cila mund të behet realitet”.

Ai në të njejtën kohë ka kërkuar vota nga gjithë qytetarët e vendit, përfshirë edhe etnikumin maqedonas duke pretenduar se do t’i përfaqëson gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe se të gjithë janë të rëndësishëm.

Por gjatë fushatës, a do të shkon në vendbanimet maqedonase për të kërkuar vota kandidati për kryeministër shqiptar në RMV, Naser Ziberi?

Ai në një prononcim ekskluziv për Zhurnal theksoi se për shkak të pandemisë do të jetë i limituar në këtë drejtim sepse sipas tij nuk do të ketë organizime masive siç janë tribunat ose tubimet.

Ziberi për Zhurnal tha se në kushte normale do të kishte shkuar në çdo cep të vendit për të kërkuar vota sepse posti i kryeministrit përfaqëson gjithë vendin pa dallim përkatësie.

Ai mes tjerash u shpreh se kryetari i qeverisë në momentin që merr besimin në Parlament duhet të mbanë llogari në mënyrë të njejtë për gjithë qytetarët.

“Për shkak të epidemisë, organizime masive, tubime, tribuna nuk janë duke u organizuar dhe do të jem i limituar në këtë drejtim. Përndryshe po të kem mundësi të lëvizjes në kushte më të mira me gjithë qejf do iu drejtohem në cilën do pikë të vendit gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie. Për shkak se Kryeministri është Kryetar i Qeverisë së të gjithë qytetarëve dhe në momentin kur merret besimi në Parlament ai duhet të mbajë llogari në mënyrë të njejtë për gjithë qytetarët pa dallim çfarë etnie kanë, kuptohet duke i trajtuar në mënyrë të barabartë e jo diskriminuese siç ka ndodhur shpeshherë. Në kushte normale, edhe 10 qytetarë po të kenë interes ta dëgjojnë qëndrimin tim unë jam i gatshëm në çdo cep të vendit të jem”, ka deklaruar për Zhurnal, kandidati për kryeministër shqiptar në RMV, Naser Ziberi.