Në praninë e besimtarëve të konfesionit islam, të myftinisë së BFI-së, si dhe të zëvendësministrit të Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë Mishab Demirxhan sot ishte lëshuar solemnisht për përdorim Xhamia e rikonstruktuar e Ali Pashës në Çarshinë e Vjetër në Ohër.

Zëvendësministri turk me këtë rast dha deklaratë për mediet e shumta turke të pranishme në këtë ngjarje, me çka theksoi se bëhet fjalë për një nga aktivitetet të cilat i zbaton Qeveria e Turqisë për ruajtjen e objekteve dhe përmendoreve të shumta kulturore në rajon nga koha e Perandorisë Osmane.

Projekti, siç theksoi, është realizuar falë bashkëpunimit të shkëlqyer të Republikës së Turqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke shprehur bindje se ai bashkëpunim kulturor vetëm do të kontribuojë edhe në avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella në të gjitha sferat e jetës, përforcimin e bashkëpunimit ekonomik në interes të bashkësive të biznesit të të dyja shteteve.

“Pas rënies së Perandorisë Osmane u formuan shumë shtete të tjera në mesin e të cilave edhe Republika e Turqisë e cila po ruan marrëdhënie të shkëlqyera me vendet e rajonit. Falë presidentit të Turqisë, të ambasadores në Shkup, të Agjencisë qeveritare për Bashkëpunim TIKA, realizojmë shumë projekte nga sfera e arsimit, shëndetësisë, përforcimit të kapaciteteve infrastrukturore dhe institucionale”, tha Demirxhan.

Ndryshe, objekti ishte rikonstruktuar me mbështetje financiare të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, në bashkëpunim me Entin për Mbrojtjen e Përmendoreve të Kulturës dhe Muzeut-Ohër, Projekti ishte miratuar në vitin 2016, ndërsa rindërtimi filloi më 22 mars të vitit 2017.

Disa qytetarë të Ohrit reaguan për rikonstruktimin sepse ai parashihte edhe ndërtim të sërishëm të minares 32 metërshe, duke vënë në dukje se kjo do të dominojë në çarshi dhe tërësisht do ta ndryshojë pamjen e asaj pjese të qytetit. Krahas minares, ishin kontestuar edhe aktivitetet ndërtimore në rajonin afër objektit për të cilin nga Shoqata e Qytetarëve “Vetëdija” nga Ohri thoshin se ruan shtresa historike të artefakteve dhe mbetjeve arkeologjike nga koha para se të ndërtohet xhamia.

Krahas minares për të cilën ata thoshin se asnjëherë nuk ka qenë e lartë 32 metra, kundërshtuan rrënimin e të gjitha karakteristikave historike dhe mbetjeve gjatë rikonstruktimit të oborrit të xhamisë. Pas disa protestave të mbajtura, si dhe padive të ngritura për zbatimin e rikonstruktimit me dokumentacion të pakompletuar, gjegjësisht mospasje të lejes për ndërtim, si zgjidhje kompromisi ishte ndërtuar minare e xhamisë me lartësi prej 24 metrave.