Partia konservatore e kryeministrit britanik, Boris Xhonson, sipas hulumtimit të agjencisë “YouGov”, e cila saktë i parashikoi rezultatet e zgjedhjeve në vitin 2017, në këto zgjedhje, të caktuara për më 12 dhjetor, do të shënojë fitore bindëse.

Partia konservatore do të fitojë 359 mandate deputetësh në parlamentin 650-anëtarësh, përderisa në zgjedhjet në vitin 2017 fitoi 317 deputetë, tregojnë rezultatet nga anketa e kësaj agjencie për hulumtim të mendimit publik.

Projeksionet për zgjedhjet e vitit 2019 “sugjerojnë se konservatorët do të fitojnë shumicën”, deklaroi Entoni Uells, drejtor i sektorit për politikë dhe hulumtime sociale në “YouGov”.

Nëse fiton në zgjedhje Xhonson premtoi se Brekziti kësaj radhe do të ndodhë sigurt më 31 janar.

“Ndryshimi ndaj Partisë konservatore është më i madh në rajonet të cilat votuan për Brekzit në vitin 2016, ndërsa shumica e ithtarëve të rinj të projektuar për toristët vërehen në veri dhe në Midlandsin Perëndimor urban, si dhe në ish-qarqet xeherore nga Midëllsandsi Lindor”, sqaroi Uells.

Sipas këtij hulumtimi, projeksioni është se partia laburiste do të fitojë 211 mandate, përderisa në zgjedhjet e kaluara pati fituar 262 mandate.

Partia nacionaliste skoceze (SNP) do të fitojë 43, Partia liberal-demokrate 13, ndërsa partia Brekzit, e cila nuk garon vetëm në qarqet ku në zgjedhjet e kaluara fituan konservatorët, tani për tani nuk ka asnjë mandat sipas projeksioneve.

Mbretëria e Bashkuar është e ndarë në 650 njësi zgjedhore, ndërsa fituesi relativ në njësinë zgjedhore e merr mandatin.