Ish-kreu i Misionit të OSBE-së në Kosovë, diplomati amerikan William Walker, duke komentuar deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk ka punuar për CIA-n dhe nuk ishte pjesë e një komploti ndërkombëtar kundër Serbisë. Ai tha se Vuçiç flet të pavërteta lidhur me masakrën e Reçakut dhe se Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë.

Walker, në një intervistë për BBC në serbisht, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ende e përmend atë me informacion të pasaktë, të cilin Vuçiq e di se nuk është e vërtetë, “sepse ai e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe Recçk”, dhe shton se kjo e irriton atë.

Ai e kujton presidentin serb, Aleksandar Vuçiç si ministër të Informacionit nga Partia Radikale Serbe, Vojislav Sheshelit në regjimin e Slobodan Milosheviçit.

“Kanë kaluar njëzet vjet dhe mund të falim dhe të harrojmë gjërat e pasakta që ata thanë për mua – Unë nuk kam punuar për CIA, nuk kam qenë pjesë e një komploti ndërkombëtar kundër Serbisë.
Vuçiçi është president sot, dhe për ndonjë arsye ai ende më përmend mua, akoma me informata të pasakta, të cilat ai gjithashtu e di se nuk janë të vërteta sepse ai e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe Reçak – dhe kjo më irriton”.

Walker thotë se ai nuk e ka takuar personalisht Vuçiçin, por i ndjek deklaratat e tij.
“Është hipokrite që dikush nga regjimi i Milosheviçit të përmendë gjenocidin dhe spastrimin etnik, duke aluduar se shqiptarët e Kosovës mund të përsërisin 17 marsin [2004], veçanërisht kur nuk ka fakte prapa pretendimit dhe në të njëjtën kohë pretendohet se mbrojnë marrëdhënie të mira me Prishtinën”, tha ai.

Walker gjithashtu tha se ai nuk ishte një mbështetës i bombardimeve të Ish- Jugosllavisë [Serbisë], por ishte angazhuar për ndërhyrje tokësore dhe shprehu mendimin se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë.

Diplomati amerikan nuk ka dyshim për të ardhmen e rajonit. “Unë mendoj se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë, qytetarët e Kosovës kanë përjetuar gjëra të vështira nën regjimin e Milosheviqit…”, ka thënë Walker.