Me mbylljen e stinorit vjeshtorë, tashmë dalë nga dalë vijnë edhe lëvizjet e para tek skuadrat nga futbolli vendor. Siç mësojm” largimi i parë ka ndodhur te Struga Trim Lum. Bëhet fjalë për talentin Gëzim Bakievski, i cili është ndarë me skuadrën strugane pas 1 viti të plotë.

Ai te Struga Trim Lum u transferua në fillim të këtij viti, duke qenë pjesë e historisë së skuadrës strugane, që edicionin 2018/2019 u inkuadrua në Ligën e Parë. I njëjti qëndroi te kjo skuadër edhe për gjatë këtyre muajve, mirëpo duke mos patur rastin të debutojë në elitën e futbollit vendor me fanellën e Struga Trim Lum, kjo edhe për shkak të një mungese prej një muaji e gjysmë nga fushat e futbollit për shkak të një helmimi që kishte.

Rikujtojmë Gëzimi te skuadra e Struga Trim Lum erdhi nga rradhët e Vëllazërimit, ndërsa hapat e parë i kishte bërë në vendlindjen e tij, në Shkup, te skuadra e Metalurgut, e ku talenti i tij u vërejt me ekipin e juniorëve, kur shpërtheu, duke realizuar 27 gola në 40 ndeshje.

Ai tashmë është në kërkim të skuadrës së tij të re, ndërsa siç thekson vetë ai është në bisedime e sipër me disa skuadra nga Liga e Dytë, por njëkohësisht ka interesim edhe nga Liga e Parë.