Burim Mahmuti nga “Online Rent a Car” dhe Naim Obertinca nga “Valoni Rent a Car” kanë rrëfyer për KALLXO.com se si veturat e tyre të marra me qira nga një person, kanë përfunduar të prera në një auto-servis në fshatin Zahaq të Pejës.

Në një intervistë për KALLXO.com, Burim Mahmuti, ka rrëfyer rastin që nga dita kur vetura e biznesit të tij është marrë me qira nga një person me letërnjoftim të falsifikuar.

“Më 15 nëntor na ka ndodhë një mashtrim nga personi Qëndrim Krasniqi, i cili e ka marrë një veturë te ne për 10 ditë me qira, mirëpo pas disa ditëve kemi vërejtë se vetura në fjalë nuk ka lëvizje dhe GPS-i i është shkëputur”, ka treguar Mahmuti.

Sipas tij, për disa ditë vetura nuk tregonte lëvizje dhe kishte mbetur në një lokacion në regjionin e Pejës.

Foto: KALLXO.com

“Kur e kemi vërejtë, kemi provuar me kontaktu personin, dhe e kemi vërejtë se nuk ka qasje, nuk ka pasë telefon, dhe e kemi marrë veturën tjetër dhe jemi nisë për Pejë në bazë të GPS-it, në lokacionin ku është ndërprerë me shiku çfarë ka ndodhur”, tregon Mahmuti.

Ai tutje ka rrëfyer se si ka shkuar në vendin kur GPS-i i veturës së tij kishte dhënë sinjalin e fundit.

Foto: KALLXO.com

“Kur kemi mbërri në vendin e ngjarjes ku është sinjali i fundit nga GPS, aty i kemi pa policinë, duke bërë bastisje, duke hulumtuar, në Zahaq të Pejës, në auto-servis. Gjatë kohës sa kemi shku aty  e kemi kuptu që edhe një shokut i ka ndodhë i njëjti rast, nuk e kemi ditë që është i njëjti person por atij i ka ndodhë para neve”, thotë Mahmuti.

Mahmuti  tregon se më pas kanë identifikuar se personi i paraqitur si Qëndrim Krasniqi, identitetin e vërtetë e kishte tjetër.

“Pas disa ditëve, i kemi rishiku të gjitha pikat ku është ndalë vetura, janë video incizimet. Personi që e ka marrë veturën është tjetër , i cili tani është në arrest nga Policia e Pejës”, tha Mahmuti.

Ai rrëfen edhe momentin kur kanë pranuar informatën se vetura e tij është gjetur e copëtuar në Pejë.

“Kemi pasë një informatë se vetura është e copëtuar e prerë për pjesë, ku policia e Pejës në bazë të hulumtimeve, e kanë gjetur veturën në një lokacion të Pejës po ashtu në Zahaq të Pejës por në një lokacion tjetër, të dy veturat edhe e jona edhe e kolegut janë të sekuestruar nga policia por me mungesë të disa pjesëve”, tha ai.

 

Mahmuti rrëfen se si pronarët e auto-servisit në Pejë fillimisht janë liruar e pas gjetjes së një fotografie në telefonin e punëtorit të tyre nga ana e policisë janë arrestuar përsëri.

“Personat nga servisi, atë ditë kur e kemi hapur rastin kanë qenë në arrest, dhe janë liruar nga policia, por punëtori i tyre ka pasur një fotografi në telefon e cila është fotografi e realizuar nga punëtori i veturës tonë në servisin e tyre që do të thotë përputhen të gjitha se ata janë personat që e kanë blerë nga mashtruesi dy veturat dhe e kanë copëtuar dhe e kanë dërguar në një lokacion tjetër për të larguar nga dogana apo mos me u vërejt”, tregon Mahmuti.

Mahmuti thotë se nuk e di arsyen se pse të dyshuarin për vjedhje dhe prerje të veturës së tij janë lënë të lirë.

“Policia prapë i ka arrestuar ata persona, dhe tani kemi informacion se personat në fjalë janë liruar nga paraburgimi , nuk e dimë pse kurse 95% janë fakte të sakta dhe të sigurta se personat kanë pasur bashkëpunim mes veti dhe e kanë kryer këtë vepër dhe kushedi sa tjera”, thotë Mahmuti.

Vetura e dytë e vjedhur dhe e prerë nga të njëjtit persona është e Naim Obertinca, pronar i “Rent a Car Valoni”.

“Me 9 nëntor e kemi lëshuar një veturë me qira, e ka marrë një person dhe e ka përdorur deri më 12 nëntor, e ka marrë për 10 ditë, më 19 nëntor e kemi kqyrë në GPS nëse është tu e kthy kerrin dhe e kemi pa që GPS nuk është tu funksionu që nga 12 nëntori”, thotë Obertinca.

Ai ka rrëfyer se me  20 nëntor ka shkuar në vendin ku GSP kishte lokacionin e fundit në Zahaq të Pejës  dhe ka kërkuar nga pronari i auto servisit të tregon se çfarë ka ndodhur me GSP-in e veturës së tij, Gol 6.

“Pronari më ka thënë këtu nuk ka shancë që është prerë ndonjë veturë kqyr në auto servisat në afërsi, edhe i kam thanë që GPS është ndalë në auto servisin tënd, ka dalë pas garazhes tënde, qaty u shkyç gjithçka, më ka thënë lajmëro rastin në polici pa problem, se kerri nuk është prerë tek ne”, rrëfen  Obertinca.

Ai tutje ka treguar se si është informuar në stacionin policor në Pejë, se rasti i njëjti ka ndodhur kolegut të tij, nga po i njëjti person.

“E kemi lajmuar rastin në polici ka hy policia në kontrolle dhe nuk kanë gjet asgjë atë ditë, të nesërmen kam shku me shiku çfarë ka ndodhur me rastin, dhe gjatë kohës sa kam qenë në stacion më kanë njoftuar kolegët se edhe aty ju është prerë vetura dhe është në të njëjtin vend me GSP”, tregoni ai.

Obërtinca tutje ka rrëfyer se si policia ka liruar dhe më pas ka arrestuar personat e njëjtë, pas gjetjes së një fotografie në telefonin e punëtorit të tyre.

“E kam informu policinë jon shku ne bastisje dhe i kanë arrestuar dy pronarët e auto servisit “Lindi”, në Zahaq të Pejës, i kanë mbajt 72 orë burg, dhe i kanë liru në mungesë të provave. Pas dy dite, punëtorit të vet ju është gjetur fotografia e Golf 7 që është vjedh, dhe me atë fotografi i kanë arrestuar punëtorin dhe dy pronarët e auto servisit, i kanë mbajtur tri javë në burg dhe pas tri jave i kanë liruar”, rrëfen Obertinca.

Në lidhje me këtë rast, Policia në Rajonin e Pejës me 26 nëntor ka njoftuar për arrestimin e katër personave të dyshuar në lidhje me këtë rast, ku kishte publikuar edhe fotografi të veturave të prera.