Propaganda agresive e qeverisë së kaluar të udhëhequr nga Nikolla Gruevski ka kushtuar plot 26.6 milionë euro. Kjo është shuma që qeveria e kaluar u ka dhënë televizioneve kombëtare gjatë periudhës prej vitit 2010 deri në 2017. Sipas hulumtimit të BIRN-it, të realizuar sipas bazës së “Financave të hapura”, e cila është aktive nga java e kaluar, pjesa dominuese e kësaj shume, mbi 90%, qeveria i ka dhënë në mënyrë direkte nga buxheti i saj,  nga pika “transfere të tjera”, ndërsa ministritë dhe sekretariatet qeveritare kanë kontribuar vetëm me disa përqindje të vogla. 95 përqind e këtyre mjeteve, kanë shkuar për tre televizionet nacionale Sitel, Kanal 5 dhe TV Alfa.

BIRN

“Televizioni Sitel është rekorder absolut, i cili është 10.2 milionë euro gjatë periudhës shtatëvjeçare, ndërsa në vitin 2015 ka marrë më së shumti, 1.8 milionë euro. Kanal 5 është në vendin e dytë me 8.5 milionë, ndërsa TV Alfa është në vendin e tretë me 6.3 milionë euro për shtatë vjet. Të ardhurat e TV Alfa nga qeveria janë rritur dukshëm në vitin 2013, vitin kur televizionin e ka blerë biznesmesi serb Veselin Jevrosimoviq. Nëse ky medium në vitin 2012 ka marrë 275.000 euro, pas ndërrimit të pronësisë ai ka marrë 1.5 milionë euro apo pesëfish më shumë. Rritja e të ardhurave ka shkuar paralelisht me ndryshimin drastik të politikës redaktuese i ndërrimin e ekipit të gazetarëve. Të tre televizionet kanë qenë për vite me radhë grushti kryesor propagandistik i qeverisë i drejtuar nga Nikolla Gruevski”.

Sipas hulumtimit të BIRN-it, dy televizionet e tjera nacionale, Telma dhe Alsat, kanë marrë rreth 859.000 dhe 545.000 euro. Qeveria e LSDM në fillim të mandatit publikoi se, qeveria e kaluar ka shpenzuar 38 milionë euro për fushatë dhe për propagandë në mediat elektronike dhe të shtypura, prej të cilave, 23 milionë janë shpenzuar për “blerje të kohës për reklama në mediat elektronike”.

BIRN

“Shpenzimi qeveritar është rritur pothuajse në mënyrë konstante gjatë viteve prej 2010 deri në vitin 2015, kur edhe e ka arritur maksimumin. Pikërisht në vitin e Marrëveshjes së Përzhinos, kur ishte dakorduar moratoriumi për reklama qeveritare, kabineti i Gruevskit ka harxhuar 5.6 milionë euro. Vitin 2016, kjo shumë ka rënë në 2.9 dhe kjo me siguri ka të bëjë me marrëveshjet e arritura para Marrëveshjes së Përzhinos. Shuma në vitin 2017 veçmë është simbolike, 195.000 euro dhe ato i ka paguar Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës për program dokumentar para ndryshimit të pushtetit”.

Ndërkohë, qeveria aktuale në fillim të vitit ka mbështetur 11 media të shtypura me 692.000 euro. Nga ana tjetër, televizionet dhe radiot lokale dhe rajonale kanë kërkuar të formohet Fond për media, i cili do të ndihmojë punën e tyre, megjithatë SHGM ka dal kundër kësaj iniciative.