Këshilli i Komunë së Tetovës solli vendim zyrtar dhe nominoi anëtar për bashkëpunim ndërkomunal në rajonin e Pollogut që duhet të rezultojë me ndërmarrje të përbashkët publike për menaxhim rajonal me mbeturinat. Udhëheqësja e sektorit për punë juridike pranë komunës së Tetovë, Sumeja Ajani do të jetë përfaqësuese dhe anëtare e vetëqeverisjes lokale të Tetovës në ndërmarrjen e përbashkët e cila do të udhëheq me mbeturinat në nëntë komunat e rajonit planor të Pollogut.

“Disa komuna tani më në seancat e Këshillave e kanë sjell vendimin i cili është i nevojshëm për aktin për formimin e një ndërmarrje të tillë. Presim sa më shpejtë të gjithë Këshillat t’i sjellin ato vendime që të mund të fillojë me oficializimin e ndërmarrjes së përbashkët publike komunale e cila do të menaxhojë me mbeturinat në rajonin e Pollogut”, deklaroi Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Në seancë, këshilltarët e pranuan edhe raportin tremujor për kryerjen e buxhetit për nëntë muajt e vitit. U miratua edhe plani financiar dhe plani vjetor për punësime në ndërmarrjen publike “Parkingu i qytetit” për vitin 2020. Gjithashtu, u soll vendim për dhënien e pëlqimit si themelues për punësime në të gjitha shkollat fillore në rajonin e Komunës së Tetovës.