Vdes spiunia e famshme ruse Goar Vartanjan (94), e cila do të varroset të premten në varrezat Trojekurovo në Moskë, pranë bashkëshortit të saj, gjithashtu, agjent i njohur sekret, i cili vdiq në vitin 2012, deklaroi Sergej Ivanov, zëdhënës i Shërbimit ndërkombëtar për zbulim të Rusisë (SVR).
Vartanjan ka marrë pjesë në parandalimin e operacionit nazist “Kërcim në largësi”, synimi i të cilit ishte vrasja e njëkohshme gjatë një konference në Teheran, e tre liderëve botërorë në vitin 1943, atij sovjetik Josif Visarionoviç Stalin, presidentit amerikan, Frenklin Ruzvelt dhe kryeministrit britanik, Uinston Çerçil.
Gevork Vartanjan, idekoruar me medaljen e heroit të Bashkimit Sovjetik, tha se Goar “i ka meritat për të paktën dy nga pesë krahët e yllit të tij heroik”, thuhet në kumtesën e SVR-së.
Goar Vartanjan lindi në vitin 1926 në Armeninë e atëhershme sovjetike, ndërsa me familjen në vitet e tridhjeta u shpërngul në Iran. Pas 16 viteve ajo u bashkua në një grup antifashistësh dhe që nga ajo kohë ka punuar me bashkëshortin e saj në zbulimin e spiunëve gjermanë.
Sipas SVR-së, “Anita” dhe “Anri”, pseudonimet që i kanë përdorur Vartanjanët, kanë punuar “në kushte ekstreme në shumë vende”, ndërsa mediat transmetuan se ato ishin Franca, Greqia, SHBA-ja, Japonia, India dhe Kina.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe vet ish-anëtar i Shërbimit Sovjetik të Sigurisë – KGB, në qershor vizitoi selinë e SVR-së dhe e vlerësoi punën e agjentëve sekret, madje edhe të Vartanjanëve.
Ish-agjenti sovjetik, Mihail Lubomir deklaroi se “puna konkrete e Vartanjanëve nuk u zbulua kurrë për të shmangur skandale politike në vendet ku bashkëshortët vepronin”.