Ish-kryeministri Sali Berisha i është rikthyer edhe një herë, shpalljes “non grata” nga Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Kujtojmë se Berisha ka hedhur në gjyq sekretarin e Shtetit Antoni Blinken me akuzën e shpifjes pas vendimit, ndërsa sonte i ftuar në emisionin “Politikon” ai ka thënë se pavarësisht vendimit të amerikanëve ai nuk do tu bashkohet miliona anti-amerikanëve në Europë.

“Jo nuk ka. Nuk kam ndërmend kurrë tu bashkohem miliona anti-amerikanëve në Europë. Në Europë e majta europiane ka nxitur antiamerikanizëm të papërmbajtur, unë nuk mund të bashkohem. Këtë akt, këtë vendim absurd të bazuar në shpifje nuk mundem kurrë ta marr si simbol të Amerikës, e marr si dobësi padiskutim”, tha ish-kryeministri.

Berisha insiston se ky është një vendim i bazuar në shpifje, ndërsa ka shtuar se koha kur erdhi shpallja “non grata” për të nuk është rastësi.

“Është menduar se kjo goditje do të më dobësojë në një kohë që ka efekt të kundërt te unë”, deklaroi Berisha.