Presidenti amerikan Donald Tramp duke i komentuar dëgjimet e kongresit në suaza të hetimit për impiçment ndaj tij, deklaroi se asnjë president kurrë nuk duhet të kalojë përmes një gjëje të tillë.

“Ky është një mashtrim demokratik i cili nuk çon askund, por presidentët e ardhshëm kurrë nuk duhet të komprometoheni. Kjo që më ndodhi nuk duhet t’i ndodhë asnjë presidenti”, ka shkruar Trampi në Tuiter.

Në një sërë mesazhesh ai theksoi edhe se “i ka mbajtur paratë e alokuara për Ukrainën sepse ajo konsiderohet vend i korruptuar” dhe se ka dashur të dijë “pse vendet evropiane përreth nuk i japin paratp e tyre”.

Trampi i kritikoi “ujqit e Uashingtonit dhe mediat të cilat përhapin lajme të rreme”, duke pohuar se lufton për të ardhmen e presidentëve të ardhshëm, pasi gjyqtari i Gjykatës Federale në Uashington ka marrë vendim se ish këshilltari juridik i Shtëpisë së Bardhë, Donald Mekgan, duhet të përgjigjet në thirrjen e detyrueshme të Dhomës Përfaqësuese të dëshmojë në hetimin për revokimin e Trampit.

Ai shtoi se në të vërtetë do të donte persona zyrtarë, siç është sekretari  i shtetit Majk Pompeo, të dëshmojnë në “mashtrimin e rremë të procesit të revokimit”.