Gjatë natës vazhduan operacionet e shpëtimit në Shqipëri, ku në tërmetin e djeshëm të fuqishëm e humbën jetën të paktën 25 persona.

Në tërmetin më të fuqishëm që e ka goditur vendin në dekadat e fundit, janë rrënuar një numër i madh i ndërtesave, ndërsa pas tij pasuan të paktën 250 lëkundje të tjera tokës.

Mijëra njerëz natën e kaluan në stadiumin e futbollit në Durrës, ku ushtria vendosi tenda.

“Zonat e Durrësit dhe Thumanës janë të goditura më rëndë. Aksionet e shpëtimit vazhdojnë në ndërtesat e rrënuara”, deklaroi ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Olta Xhaka. Ajo theksoi se Italia, Franca, Rumania, Turqia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia i kanë dërguar 200 ushtarë të specializuar, mjete dhe ekipe me qen-gjurmues për të ndihmuar në ofrimin e ndihmës.

Qeveria e Shqipërisë ditën e sotme e shpalli Ditë zie, me çka flamujt e të gjitha institucioneve janë ulur në gjysmështizë, ndërsa shkollat janë mbyllur. Flamuri i Shqipërisë para selisë së NATO-s edhe gjatë ditës së djeshme ishte në gjysmështizë.

“Flamujt e aleatëve tanë Shqipërisë dhe Francës janë në gjysmështizë para selisë së NATO-s, pas tërmetit në Shqipëri dhe për nder të ushtarëve të vrarë francezë në Mali”, kumtoi Aleanca.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjithashtu e shpalli ditën e sotme Ditë zie në vend për nder të viktimave nga tërmetet në Shqipëri, të cilat janë ndjerë pothuajse në tërë Ballkanin