Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi tragjedinë më të rëndë në katër dekadat e fundit në Shqipëri, me një bilanc tragjik prej 51 viktimash dhe shumë të plagosur, pa llogaritur edhe dëme të mëdha në banesa kolektive e shumë shtëpi private.

Por, edhe biznesi ka pësuar humbje të mëdha.

Madje, kërkohet ndërhyrja e qeverisë dhe e autoritetit të mbikëqyrjes financiare për të dalë nga ajo që mund të quhet si “gjendje kome”.

Ndërsa e gjithë vëmendja e strukturave shtetërore është përqendruar tek sigurimi i strehimit për mijëra banorë të Durrësit shtëpitë e të cilëve janë bërë të pabanueshme, biznesi është lënë tërësisht në harresë këto ditë.

Sipas kreut të Dhomës së Biznesit në Durrës, Alban Isteri, deri më tani janë 20 fasoneri me rreth 150-200 punëtorë secili, që edhe sot pas tërmetit, nuk kanë nisur ende punën, pasi ambientet dhe makineritë janë dëmtuar.

Rreth 850 biznese të vogla janë mbyllur për shkak të dëmtimeve në godinat ku ushtronin aktivitetin, ndërkohë që janë rreth 100 biznese të mëdha që kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

Ajo që është më shqetësuese këto ditë është se janë edhe një pjesë e konsiderueshme biznesesh që vazhdojnë të ofrojnë shërbime në katet e para, ndërkohë që katet e sipërme janë kthyer në të pabanueshme.

Për këtë arsye, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë, një ndër kërkesat parësore që i ka parashtruar Këshillit të Ministrave është “koordinimi ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Shtabit të Emergjerncave për dërgimin e grupeve të ekspertëve për verifikimin e dëmeve në objektet e biznesit dhe certifikimin e godinave me qëllim rifillimin e punës në mënyrë sa më sigurt për punëmarrësit”.

Një pjesë e bizneseve që kanë pësuar dëmtime të shumta në godina janë duke kërkuar ambiente të reja me qira, pasi riparimi i dëmeve do të kërkojë kohë, ndërkohë që nisja e aktivitetit duhet të bëhet një orë e më parë, sepse kanë afate kontratash që duhet të respektojnë me partnerët e huaj.

Por ndërsa janë të prekur drejtpërdrejtë nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti, një pjesë e madhe e bizneseve po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore.

Në ditët e panikut që mbërtheu Durrësin, ku një pjesë mjaft e madhe e popullatës u largua drejt qyteteve të tjera, por edhe gjatë kësaj jave, jo të gjithë punonjësit i janë rikthyer punës, pasi një pjese prej tyre u janë shpallur shtëpitë e pabanueshme dhe ende nuk kanë zgjidhur problemin e strehimit.

“Bizneset në jo pak raste po punojnë me 40-50 për të kapacitetit të tyre dhe kjo është një kosto e shtuar për ta”, thotë kreu i Dhomës së Tregtisë Durrës, i cili ngre alarmin se nëse nuk ndërhyn shteti me lehtësira fiskale, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve do të shkojnë drejt falimentimit në muajt në vijim.

Pranë Qendrës së Regjistrimit të Biznesit këto ditë ka qenë i lartë numri i subjekteve që janë paraqitur për të pezulluar aktivitetin, për shkak të dëmeve të pësuara, apo se godina ku ushtronin aktivitetin është shembur ose ka dëmtime të mëdha.

Në një kohë kur shumë biznese kanë ndërprerë aktivitetin që nga data 26 nëntor, kjo mund të shoqërohet edhe me një kosto të rëndë sociale.

Deri më tani, bizneset në Durrës kanë deklaruar se do t’i paguajnë punëtorët edhe gjatë kësaj periudhe pauze, por kjo do ta rëndojë edhe më shumë portofolin e tyre.

Një fenomen tjetër shqetësues është fakti se edhe para tërmetit të 26 nëntorit, bizneset në Durrës ndjenin mungesën e fuqisë punëtore. Kjo pritet të thellohet edhe më tej në muajt në vazhdim, pasi një pjesë e fuqisë punëtore, të mbetur pa shtëpi pas tërmetit do të tentojë emigrimin.

Nga ana tjetër, një pjesë e punonjësve të dëmtuar nga tërmeti i kanë kërkuar punëdhënësve të tyre paradhënie, për riparimin e dëmeve apo për të marrë shtëpi me qira.

Duke iu referuar shembullit të ndjekur nga vendi fqinjë, Itali, në rastin e tërmetit në Aquila, në vitin 2009, apo në Amatrice në vitin 2016, Dhoma e Tregtisë i kërkon qeverisë Rama ndërhyrjen për derdhjen e vlerës së TVSH-së në llogaritë e bizneseve dhe lehtësira fiskale që nënkuptojnë 3 vite pezullim taksash, etj.