Konfirmimi i gjendjes së jashtëzakonshme do të vijë në rend dite pas ndryshimeve në ligjin për arsim fillor dhe të mesëm. Burime nga grupet parlamentare thonë se në koordinimin e një dite më parë, është vendosur që miratimi i ndryshimeve në ligjet e arsimit dhe zgjedhja e zëvendësministrave të bëhet të enjten, derisa Qeveria propozon emrat e kuadrove të eshalonit të dytë.

Nëse organi ekzekutiv nuk propozon emrat, datë alternative për seancë plenare mbetet 21 shtatori.

Shumica parlamentare ndonëse ka fituar kohën e mjaftueshme për të negociuar, mësohet se akoma nuk ka siguruar numrat e nevojshëm prej 2/3 për konfirmimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Nga LSDM nuk bëjnë të ditur nëse janë duke punuar për të siguruar 80 vota, ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja thonë se janë të gatshëm për të debatuar atëherë kur propozimet do të gjenden në rend dite.

Partia e Hristijan Mickoskit mësohet se konfirmimin nuk do ta mbështet pa kushte. Madje opozita paraprakisht kishte paralajmëruar se përveç vendimeve të presidentit, duhet shqyrtuar dhe debatuar në Kuvend të gjitha vendimet të cilat Qeveria i kishte miratuar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme si masa kundër Kovid-19.

Në pesë ciklet sa Qeveria dhe Presidenti kishin shpall gjendje të jashtëzakonshme, Qeveria kishte miratuar mbi 250 vendime përmes dekreteve me fuqinë e ligjit. Pjesa më e madhe e tyre ishin masa ekonomike dhe masa kufizuese. Jo zyrtarisht, opozita kryesisht konteston ndihmat financiare të Qeverisë ndaj kompanive.