Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut njofton të gjithë besimtarët dhe opinionin e gjerë se të Enjten (1 Muharram – 1442) është Viti I Ri Islam – Hixhri. Ashtu si çdo vit, edhe për sivjet në plan programin e BFI ishte e planifikuar mbajtja e Akademisë Solemne për hir të këtij evenimenti, por për shkak të situatës së krijuar me Kovid 19, Rijaseti i BFI ka vendosur që ta anulojë këtë manifestim, duke pasur në mendje dhe prioritet shëndetin e besimtarëve tanë. Me këtë rast Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, u.d. Reisul Ulema H.Hfz. Shaqir ef. Fetai, Rijaseti i BFI dhe tërë Bashkësia Fetare Islame në RMV, ua urojnë Vitin e Ri Islam Hixhri 1442 të gjithë besimtarëve në vend dhe diasporë si dhe tërë muslimanëve anembanë Botës. Duke lutur Allahun fuqiplotë që ky vit të sjellë shëndet begati e prosperitet në mesin e besimtarëve dhe njerëzisë në përgjithësi.

Shërbimi për Informim i BFI-së në RMV