Intervenim i shërbimit zjarrfikës për shpëtim të personave nga shtëpitë e vërshuara, pjesë e mbyllur e autostradës Athinë – Korinth, rrugë të mbyllura në Athinë, fillim i prolonguar i mësimit në shkolla dhe kopshte në rajonin e Atikës, thirrje nga Sekretariati i përgjithshëm për mbrojtje civile që qytetarët deri në orën 10:00 të mëngjesit të evitojnë lëvizjet e panevojshme me automobila, dy persona të vdekur në Antirio… është bilanci nga moti i lig “Girionis”, që prej mbrëmë vonë e kaploi Greqinë dhe krijoi probleme serioze në disa pjesë të vendit, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Rajoni Kineta në pjesën perëndimore të Atikës, rajoni më i gjerë i Athinës, ishin më të goditura nga moti i lig, shtëpitë dhe rrugët u vërshuan, ndërsa shërbimi zjarrfikës i Greqisë gjatë natës pranoi mbi 64 thirrje për ndihmë, prej të cilave shumica ishin për nxjerrje të njerëzve nga shtëpitë e tyre.

Me vendim të kompetentëve, është mbyllur një pjesë e autostradës Athinë – Korinth, që kalon përmes Kinetës.

Periferia Atika vendosi që shkollat dhe kopshtet të mbeten të mbyllura deri në orën 10:00.

Nga Sekretariati i përgjithshëm për mbrojtje civile herët në mëngjes u bënë thirrje banorëve të Atikës të evitojnë lëvizjet me automobila deri në orën 10:00 ,edhe për shkaqe preventive edhe në mënyrë që të evitohet kaosi në komunikacion me pasoja të pakëndshme për shkak të ujit të grumbulluar nëpër rrugë.

Moti i lig shkaktoi probleme serioze edhe në komunikacionin detar, në disa porte greke, për shkak të erës së fuqishme ka ndalesë për lundrim.

Siç kumtoi MIA paraprakisht, shërbimet shpëtimtare nga deti i nxorën trupat e pajetë të dy personave të cilët prej dje konsideroheshin të zhdukur, pasi që u përmbys jahti i tyre i vogël i ngujuar në portin e qytetit grek Antirio në pjesën perëndimore të vendit.