Qeveria aktuale duke e sakrifikuar ardhmërinë e ekonomisë dhe zhvillimin e vendit, nga motive populiste po përgatitet që t’i blejë votuesit. Kështu ka deklaruar anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së Trajko Sllaveski, duke ju referuar mjeteve të parapara në buxhetin e ri.

Ai në intervistën javore për Radio Evropa e Lirë, ka theksuar se buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm sa i përket strukturës është më i keqi deri më tani, pasi nuk ka asnjë komponentë zhvillimi.

“Mjetet që nuk investohen në infrastrukturë, nuk investohen në ndërtimin e shkollave të reja, ndërtimin dhe adaptimin e spitaleve, qendrat klinike dhe të ngjajshme, janë të destinuara në mënyrë populiste për shpenzimet aktuale, për rritjen e pagave në administratë, për shpenzime sociale.

Këto janë nevoja që duhet të plotësohen për një numër të madh të qytetarëve, ndërsa rritja për shembull e mjeteve për mbrojtje sociale për 140 milion euro, siç është paraparë në buxhetin e ardhshëm, nënkupton se Qeveria përgatitet që, duke e sakrifikuar ardhmërinë e ekonomisë dhe zhvillimin e vendit, nga motive populiste t’i blejë votuesit..”, deklaroi Trajko Sllaveski, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së

Sipas Sllaveskit, borxhi publik po rritet dhe parashihet që ta kalojë kufirin prej 50 për qindëve, që nënkupton se nuk është një zhvillim i mirë i ngjarjeve. Ai shton më tej se të hyrat e planifikuara në buxhet, janë bërë në mënyrë shumë optimiste dhe janë shumë rëndë të realizueshme.

“Siç është paraparë propozim buxheti edhe në pjesën e të hyrave edhe të dalurave sipas shumës është historikisht më i lartë dhe ndoshta ky nuk është problemi bazë. Me kalimin e kohës rritet brutoprodhimi vendor, rriten nevojat e shtetit, rritet nevoja e të hyrave dhe rritjes së të dalurav ë buxhet, por ajo që e kam vërejtur këto ditë, është se të hyrat janë të planifikuara në mënyrë shumë optimiste dhe janë shumë rëndë të realizueshme”, thekson Sllaveski.

Sipas Sllaveskit, rritja e paraparë prej 7 përqind të të hyrave nuk ka shanse të realizohet, veçanërisht nëse, siç tha ai merret parasysh ngadalësimi i ekonomisë botërore dhe evropiane që, sipas tij, do të ketë efekte negative edhe në vendin tonë.