Me informata të pavërteta dhe spekulime në media tentohen të njolloset kremtimi i 30 vjetori të tifo grupit “Shvercerat”, reagon tifo grupi “Shvercerat Shkup”, për pretendimet se gjoja është “vandalizuar” Teatri Popullor i Maqedonisë, duke theksuar se atë natë është prezantuar një dokumentar i shkurtë për historinë e grupit dhe njëkohësisht janë ndarë mirënjohje personave eminent nga jeta e futbollit të cilat kanël dhënë kontributin për Klubin e Futbollit Shkupi.

“Ne jemi tifozë dhe tifozëria është jeta jonë, nuk ka mënyrë tjetër të tifozërisë veç se këndimi i këngëve dhe brohoritjes, dhe në këtë e bëmë atë natë dhe asgjë tjetër, pa asnjë ‘vandalizëm’, thyerje, ndonjë fjalë ofenduese, e jo më fjalë të urrejtjes. I kënduam këngët tona të tifozërisë, skanduam emrat e personave të cilat morën mirënjohje, madje treguam një nivel të lartë të kulturës duke mos veçuar askënd nga ky skandim, ashtu siç brohoritëm emrat e Nexhmedin Memedit , Nexhat Shabanit Argjend Beqirit, Arben Nuhiut, ashtu brohoritem edhe emrat e Gjore Jovanovskit, Gogo Jovcevit dhe të gjithëve që morën mirënjohje atë natë”, thuhet në kumtesë e tifo grupit “Shvercerat Shkup”.

Po ashtu ata sqarojnë se ashtu siç janë futur të organizuar në objektin e teatrit, ashtu të organizuar janë larguar, gjegjësisht gjatë daljes kanë kontrolluar se mos rastësisht është shkaktuar ndonjë dëm, por një gjë e tillë nuk është konstatuar.

“Kjo është e vërteta dhe të gjitha informatat tjera janë të pavërteta dhe vetëm në drejtim të njollosjes së grupit tonë të tifozërisë dhe spekullime”, theksojnë “Shvercerat Shkup”, duke nënvizuar se teatri është edhe i tyre.