Një tërmet me magnitudë 4,6 i shkallës Rihter është regjistruar në orën 00:13 pas mesnatës së djeshme në Durrës. Tërmeti u regjistrua në det, përballë Gjirit të Lalzit.  Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, siç transmetojnë mediat në Shqipëri, bëri me dije se tërmeti u shoqërua nga 42 pasgoditje të tjera, më e madhja e shkallës 3.5, por fatmirësisht nuk raportohet për dëme 

Ndërkohë Rrjeti sizmologjik i Maqedonisë së Veriut, njoftoi se tërmeti ishte ndjerë edhe në pjesët perëndimore të Maqedonisë së Veriut, më saktësisht në Gostivar, Tetovë dhe zonën përreth.

“Rrjeti Sizmologjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, menjëherë pas mesnatës, më 8 tetor 2020, në orën 00:13 minuta, regjistroi një tërmet epiqendra e të cilit ndodhet në Republikën fqinje të Shqipërisë, në zonën e Durrësit, 170 km në jugperëndim të Shkupit”, thuhet në njoftim.

Që nga tërmeti 6.4 i shkallës Rihter i regjistruar në orën 03:54 minuta të 26 nëntorit të vitit të shkuar, ku 51 vetë humbën jetë dhe me mijëra familje mbetën pa strehë, në Shqipëri  kanë ndodhur me qindra pasgoditje.