Dy njësi speciale për ballafaqim me katastrofa të shërbimit zjarrfikës grek, të cilët gjenden në dy lokacione të ndryshme në Shqipëri, gjatë ditës së djeshme nga gërmadhat shpëtuan një grua 45-vjeçare dhe një burrë 24 vjeçar, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Më konkretisht, siç kumtuan herët në mëngjes nga shërbimi zjarrfikës i Greqisë, njëra njësi është në qytetin Thumanë, rreth 15 kilometra në veriperëndim të Tiranës, ku nga gërmadhat është është nxjerrë e gjallë gruaja 45-vjeçare, por edhe një grua e vdekur.

Njësia tjetër e shpëtimit është në Durrës, ku i gjallë është nxjerrë një burrë 24-vjeçar.

Nga shërbimi zjarrfikës i Greqisë kumtojnë se aksioni për shpëtim vazhdon.

Greqia dje me aeroplan S-130 të aviacionit ushtarak nga Athina në Shqipëri dërgoi 27 persona nga Njësia speciale për ballafaqim me katastrofa të shërbimit zjarrfikës grek, të cilët me dy qenë shpëtimtarë dhe pajisje speciale u ndihmojnë autoriteteve shqiptare, ndërsa nga qyteti Janinë janë nisur 15 persona me automjete speciale zjarrfikëse.

Siç publikoi mbrëmë MIA, shefi i diplomacisë greke Nikos Dendias, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ishin në vendin e ngjarjes, ku kanë intervenuar njësitë greke në një objekt të rrënuar në Durrës.