“Festa e Birrës” në Korçë ka bërë bujë të madhe gjatë këtyre ditëve që pas njoftimit të artistëve që do të marrin pjesë në të.

Kjo meqë në këtë eveniment u bë e ditur se do të marrë pjesë edhe këngëtari boshnjak me identitet serb, Goran Bregoviq.

Ish-frontmani i bendit “Bijelo Dugme” thuhej se dikur ka frymëzuar serbët për masakrat në Kosovë dhe kjo bëri që të ketë një valë të shkrimeve negative në media e faqet rozë.

 

E për këtë, një pjesë e artistëve nga Kosova anuluan pjesëmarrjen e performancat e tyre në festivalin e Korçës që do mbahet nga 18-22 gusht.

Capital T, Dafina Zeqiri, Grupi NA dhe Dren Abazi – ishin disa nga emrat që u tërhoqën nga pjesëmarrja në këtë festival dhe jo vetëm.

Shemi nga grupi “Ilirët” po ashtu pak më parë ka treguar se nuk do të jetë pjesë e këtij eventi.

Në një prononcim për Telegrafin, artisti thotë se është me Kosovën pasi ka lindur dhe se do të vdes këtu.

“Janë ngatërruar gjërat arti me politikë. Protagonisti kryesor, Goran Bregoviq, me u rrok vëllazëria ndërmjet vete Kosova Shqipëria ne e kemi shpall këtë muzikant çetnik ndërsa Shqipëria për herë të dytë po e thërret në performancë, nuk e di as kush han e as kush pi, unë jam me Kosovë se këtu kam lindur e këtu do të vdes dhe nuk do të marrë pjesë ne Beer Fest Korçë se kështu ka vendosur Kosova”, ka thënë Shemi për Telegrafin.