Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov sot në prag të Samitit të NATO-s në Londër, që do të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm, do të takohen me shefin e zyres së Aleancës në Shkup, kolonelin Zoran Jankoviq.

Pas takimit, Shekerinska, Dimitrov dhe Jankoviq do të japin deklaratë për mediumet.

Ministrja e Mbrojtjes dje deklaroi se përfaqësuesi ushtarak në Misionin e NATO-s pritet të zgjidhet dhe dërgohet në Samitin e Londrës.

Në Ministrinë e Mbrojtjes tashmë është shpallur konkurs intern për këtë pozitë dhe se ka listë të kandidatëve potencial.

“Kemi takim të kandidatëve të cilët i përmbushin kriteret e caktuara dhe që gjatë ditës së sotme do të kem takim me presidentin dhe do të bisedojmë për propozimet që i kam unë apo i ka ai. Pres kjo çështje të zgjidhet në ditët në vijim. Përgatitjet për Samitin tashmë kanë përfunduar dhe ne atje shkojmë me u.d.Ambasador”, sqaroi Shekerinska duke shtuar se emërimi i ambasadorit në Misionin e NATO-s është në konmpetenca të MPJ-së.

Njëzet e shtatë vende ambasadorësh ende nuk janë plotësuar, disa janë qendra mjaft të rëndësishme diplomatike për vendin, si SHBA-ja dhe NATO-ja. Në Misionin e NATO-s si u.d.ambasador në ueb-faqen e MPJ-së është shkruar Zoran Todorov.

Si kandidat i mundshëm për misionin në fillim të muajit përmendej këshilltari i kryeministrit Zoran Zaev, Dane Taleski.