Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në suaza të të cilës do të mbajë takim me nikoqirin e tij shefin e Diplomacisë Nikolla Dimitrov.

Siç kumtoi MPJ, në takim është parashikuar të bisedohet për marrëdhëniet bilaterale, për bashkëpunimin politik dhe ekonomik, si dhe për perspektivën evropiane të vendit tonë dhe rajonit.

Gjithashtu, shtohet, është parashikuar të shqyrtohen edhe mundësitë për përparim të dialogut politik mes dy vendeve,  në dritë të implementimit të obligimeve nga Marrëveshja e Prespës.

Dendias në deklaratë ekskluzive për MIA-n në vigjilje të  vizitës së tij të nesërme të parë në Shkup shprehu  mbështetje të fuqishme për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ai zbulon se Greqia punon  në ndërmarrjen e  nismave konkrete, me qëllim që BE-ja të japë dritë të gjelbërt për vendin tonë, ndërsa me ç’rast shpreh edhe  mbështetje të fuqishme për  perspektivën evropiane dhe të tërë Ballkanit Perëndimor, politikë e cila, siç thotë,  përmes agjendës së Selanikut, Athinën e ka vendosur në prioritetet e Bashkimit Evropian.

“Mbështetja jonë për fillim të negociatave inkuadruese të Maqedonisë së Veriut me Unionin është dhënë. Punojmë në atë dhe ndërmarrim  nisma konkrete, në konsultim me të gjithë partnerët tanë në BE, me qëllim sa më shpejtë që është e mundur, në atë drejtim të sillet  vendim pozitiv në Union. Gjithsesi ajo që nënkuptohet është se nga ana e Republikës të Maqedonisë së Veriut, nuk duhet të zvogëlohet intensiteti i përpjekjeve për harmonizim me standardet evropiane. Njejtë sikur që nënkuptohet edhe se nga ana e Greqisë, do të ketë mbështetës të fuqishëm në këtë përpjekje të saj”, porosit Dendias.

Për vizitën e nesërme në Shkup ai thotë se vjen në “vendin fqinj dhe së shpejti aleat  i Greqisë në NATO” dhe në vendin i cili pret “të bëhet edhe partner i Greqisë në Bashkimin Evropian në një të ardhme jo aq të largët”.

“Shpresoj në takime konstruktive gjatë vizitës sime,  që do të sjellin rezultate në interes të shteteve fqinje,  rezultate të dukshme edhe për qytetarët tanë. Me homlogun tim,  ministrin e Punëve të Jashtme, me zotëri Dimitrovin tashmë jemi takuar disa herë kohëve të fundit dhe kemi marrëdhënie të sinqertë, sjellje të respektimit të ndërsjellë, të sinqeritetit  dhe të natyrshmërisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Marrëdhëniet tona bilaterale janë jashtëzakonisht të rëndësishme edhe për të dy vendet tona. Punojmë për përforcimin e tyre thelbësor dhe thellimin në spektrin më të gjerë të fushave”, thotë Dendias për MIA-n.

Në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, shefi i diplomacisë greke porosit se ajo është obligative për të dy vendet dhe shton se  zbatimi i tij i tërësishëm do të thotë edhe nxitje shtesë për zhvillim më të madh dhe prosperitet të të dy popujve.

Në suaza të vizitës zyrtare  në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ministri grek i Punëve të Jashtme do të takohet edhe me presidentin Stevo Pendarovski dhe me kryeministrin Zoran Zaev.