Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ëshë zotuar se brenda 100 ditëve do ta zgjidh problemin e rreth 70 mijë shqiptarëve që padrejtësisht u mohohet shtetësia e Maqedonisë së Veriut, nëse partia e tij bëhet pjesë e qeverisë së re. Në një prononcim për gazetën LAJM, kreu i ASH-së, ka thënë se, në mungesë të shtetësisë rreth 70 mijë shqiptarëve, përveç shumë të drejtave tjera, u mohohet edhe e drejta e votës. Sipas tij, në këtë mënyrë ulet për të paktën 10 numri i mandateve të deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

“Ne premtojmë që brenda 100 ditëshit në qeveri, nuk do të ketë më shqiptarë që nuk do të ketë shtetësi, numër që përafërsisht tani është mbi 70 mijë dhe kjo e përkthyer ndryshe është 10 deputetë. Gjithë këto fenomene negative ne mendojmë që t’i largojmë”, tha Sela për gazetën LAJM.

Lideri i partisë opozitare shqiptare ASH, flet edhe për një problem tjetër që zvogëlon peshën e votuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Ai sqaron se, në njësinë zgjedhore numër gjashtë prej ku del numri më i madh i deputetëve shqiptarë, numri i votuesve ka kaluar pragun maksimal ligjor. Kjo gjë mundëson që në njësitë zgjedhore ku janë të përqëndruar votuesit maqedonas deputetët të zgjidhen me më pak vota.

“Do të tejkalohet problemi me njësinë zgjedhore numër gjashtë, pasi tani është komplet i paligjshëm procesi zgjedhor duke pasur parasysh që njësia zgjedhore numër gjashtë ka votues 12% më shumë se njësia numër 4, ndërkohë pragu i lejuar sipas ligjit është plus-minus 5% dhe përsëri është i lartë.

Në proncimin e tij për gazetën LAJM, Sela flet për domosdoshmërinë që ka vendi për reformë zgjedhore.
“Duhet të ndërpritet fenomeni i heqjes prej listave në çdo cikël zgjedhor nga çdo vendvotim nga 15 apo 20 shqiptarë sepse kjo i bie që në 1000 vendvotime, 20 mijë shqiptarë nuk e realizojnë të drejtën e votës ditën e zgjedhjeve, dhe kështu humbin të paktën 3 deputetë”, tha Sela.

Ai, më tej sqaroi se Aleanca për Shqiptarët kërkon model zgjedhor me 8 njësi dhe me lista të hapura. “Qëllimi ynë është demokratizimi i partive politike dhe shoqërisë që t’i mundësojmë qytetarëve të jenë ata që zgjedhin deputetin dhe jo kryetari i partisë”, u shpreh Sela për gazetën LAJM.