Editorial nga Bexhet Musliju, drejtor i Agjencisë së lajmeve “Zhurnal.mk”

  Zv. kryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, i cili do të tërhiqet më 3 janar kur do të fillojë qeveria teknike para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka thënë se gjatë dy viteve e gjysmë të kaluar, me njohuritë dhe përvojën e tij si afarist ka kontribuar në ekonominë e vendit dhe e nxit që këtë ta bëjnë edhe biznesmenët e tjerë.

Angjushev ka deklaruar se për dy vjet e gjysmë ka kontribuar me të gjitha njohuritë e tij, si praktike, ashtu edhe teorike, për ekonominë ose politikat ekonomike të shtetit, dhe mendon se kjo është e mjaftueshme për këdo në ekonomi. Ai konsideron se nëse këtë vazhdon ta bëjë këtë për një periudhë më të gjatë, do të dëmtojë kompanitë e tij. Ai u ka bërë thirrje të gjithë biznismenëve të tjerë të japin të njëjtin lloj kontributi në të ardhmen.

I pyetur nëse ai do të pranonte ndonjë angazhim pas zgjedhjeve qeveritare nëse do të merrte përsëri një ftesë nga LSDM-ja ose nga VMRO DPMNE-ja ai saktësoi se ai mund të pranojë një politikë të ngjashme me atë të qeverisë aktuale dhe jo ndonjë të ndryshme.

Për çfarë do të mbahet mend Angjushev!

Biznesi privat dhe udhëheqja ekonomike në shtet ka dallim të madh. Nëse një biznesmen është i suksesshëm në ndërtimin e kompanive të tij, kjo nuk do të thotë se ai do të jetë i suksesshëm edhe në pozita qeveritare. I prirë që të dëshmojë se ai mund t’i rregullojë disa politika të mëparshme, Angjushev bëri disa hapa të guximshëm, por që në fakt dolën të dështuara.

Ai tentoi të barazojë kushtet e subvencioneve shtetërore të kompanive vendore me ata të jashtme, pasi konsideronte se është e padrejtë që vetëm kompanitë e huaja të marrin subvencione. Por, në momentin kur ndodhi kjo, doli se përfituan kryesisht kompanitë e tij.

Firmat e zëvendëskryeministrit Koço Angjushev, megjithë premtimin e bërë për qytetarët se firmat e tij nuk do të marrin pjesë në tenderët e shtetit, vazhduan të thithin para nga buxheti përmes firmave të tyre. Përkatësisht, dokumentet treguan se kompanitë ku paraqitet pronar Koço Angjushev, fitoi tenderë nga 4 institucione shtetërore në vlerë prej 2 milion e 380 mijë denarë.

Ai bëri gabime trashanike edhe me faktin se injori tërësisht Agjencinë për investime të huaja dhe i largoi promotorët jashtë shtetit. Ndërkaq, nga ana tjetër ai i dha më shumë prioritet Drejtorisë për Zonate e Lira Ekonomike, të cilëve u dha kompetenca më shumë seç duhej. Një fakt i tillë, shkaktoi huti te kompanitë të cilat dëshironin të investojnë në Maqedoninë e Veriut. E kjo bëri që askush mos të mbajë përgjegjësi për dështimet e deritanishme në thithjen e investimeve.

Ai ka pasur mosmarrëveshje edhe me kryeministrin Zaev për çështje të caktuara ekonomike e sociale. Përderisa Zaev mendonte për masa populiste, Angjushev tentonte të shikonte interesin e kompanive private.

Përkundër këtyre insistimeve, ai nuk arriti të sjellë numër të madh investitorësh, nuk arriti të ndalojë ikjen e të rinjve, dështuan projekte gjigante sikur hidrocentralet “Çebren” dhe “Galishte”, ndërtimi i autostradës “Shkup – Bllacë” dhe autostrada ”Gostivar –Kërçovë” si dhe një sërë projektesh tjera për rritje të Bruto Prodhimit Vendor.

A do të largohen edhe vartësit e tij!

Dështimeve ekonomike iu bashkua edhe ministri i ekonomisë Bekteshi, i cili qorrazi iu besonte veprimeve të Angjushevit, e duke mos mundur të realizojë një projekt të vetëm të mirëfilltë. Bekteshi ishte njeriu më besnik i Angjushevit dhe kjo shfaqej në çdo takim ose konferencë për media. Bekteshi u përfshi gjithashtu në “skandale” të shumta që kishin të bëjnë me mostransparencën në ndarjen e subvencioneve nga institucioni i tij, punësime familjare brenda ministrisë së ekonomisë dhe nëpër institucione tjera shtetërore si dhe mosdëgjim të sugjerimeve partiake, kundrejt këshillave të Angjushevit.

Edhe pse ishte në kompetencë të tij, ai nuk arriti të zgjidhte çështjen me zonën ekonomike të Tetovës, duke lënë kështu që investimet të ikin në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut. Nëse merren për bazë statistikat e kompanive dhe buxheti i tyre, del në shesh se numri më i madh i kapitalit është koncentruar në Shkup, Shtip e Strumicë. Pjesa perëndimore e Maqedonisë së Veriut është lënë e harruar dhe në mëshirë të kurbetçinjve.

Carovska do të zëvendësojë Angjushevin!

Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ka publikuar disa nga emrat që do të jenë pjesë e qeverisë teknike. Ai tha se LSDM ka sjellë vendim që Oliver Spasovski të jetë kryeministër në Qeverinë teknike, ndërsa Milla Carovska të jetë zv.kryeministre për Çështje Ekonomike. Në qeverinë e Zaevit, Spasovski ka qenë ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa Carovska ministre e Punës dhe Politikës Sociale. Zaev gjithashtu njoftoi se Sllavjanka Petrovska është nominuar për zv.ministre shtesë në MPB, ndërsa Sanella për zv.ministre shtesë në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Ai tha se me këto propozime, LSDM dërgon mesazh që janë parti serioze dhe se janë favoritë në zgjedhjet e parakohshme kuvendare, që janë planifikuar për më 12 prill.

Dorëheqja është momenti më i lehtë nga një pozitë shtetërore. Por, përveç dorëheqjes të gjithë funksionarët duhet të bartin përgjegjësi. Institucionet për zbatimin e ligjit duhet të fillojnë të gjitha procedurat që të kërkojnë përgjegjësi për përfshirjen në skandale dhe dështimet në projektet e shumta.