Për Ministrinë për shoqëri informatike dhe administratë në propozim-buxhetin për vitin 2020 janë paraparë shpenzime prej 1,5 miliardë denarë apo rreth 25 milionë euro nga të cilat pjesa më e madhe prej 1,2 miliardë denarë (19,5 milionë euro) janë dedikuar për subvencione dhe transfere për ndërmarrjet publike me veprimtari radiodifuzive sikur Radiotelevizioni i Maqedonisë (RTM), Radiodifuzioni i Maqedonisë (RDM) dhe Agjencia për shërbime audio dhe audiovizuele (AShAAVM)., njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk

Praktika e këtillë e transferimit të parave buxhetore drejtpërsëdrejti në llogaritë e këtyre ndërmarrjeve ka filluar pasi me propozim të Qeverisë aktuale, Kuvendi më shtator, 2017 i pranoi ndryshimet në Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuele me të cilat është anuluar taksa radiodifuzive.

Në propozim-buxhetin për vitin 2020 nuk mund të shihet sa para veçmas do të fitojnë ndërmarrjet publike dhe rregullatorët nga veprimtaria radiodifuzive për shkak se paratë janë vënë në një pozicion.

Gjithsesi, sipas planit financiar të RTM-së për vitin 2020 të publikuar nga Kuvendi, të ardhurat e përgjithshme të planifikuara, nga buxheti shtetëror, janë 1,29 miliardë denarë apo 20,9 milionë euro, derisa shpenzimet e planifikuara për vitin e ardhshëm janë 1,34 miliardë denarë (21,8 milionë euro).

Në këtë dokument, mund të vërehet se për RTM, për vitin e ardhshëm, janë planifikuar të ardhura më të mëdha nga buxheti në raport me këtë vit kur janë pritur të ardhura buxhetore prej 894 milionë denarë apo rreth 14,5 milionë euro.

Përndryshe, shpenzimet e përgjithshme buxhetore të ministrisë me rebalancin e buxhetit për vitin 2019 janë zvogëluar prej 1,57 në 1,5 miliardë denarë (24,4 milionë euro).

Ministri për shoqëri informatike dhe administratë Damjan Mançevski, gjatë prezantimit të propozim buxhetit të MShIA për vitin 2019 ka deklaruar që 77 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të ministrisë janë paraparë për financim të RTVM-së, RDM dhe AShAAVM-së.

“Praktika nga viti i kaluar, gjë që e kanë konfirmuar edhe palët e përfshira, tregon se në këtë mënyrë, nëpërmjet sigurimit të parave nga buxheti, RTVM, AShAAVM dhe RDM, pranojnë mjete të rregullta, që janë të parashikueshme. Tani ata kanë mundësi, në afat të gjatë ta planifikojnë punën dhe programin e tyre dhe kanë politikë autonome dhe të pavarur redaktuese”, theksoi atëherë ministri Mançevski.