“Edhe disa ditë pas rikonstruimit të tërësishëm të bulevardit të njohur si “rruga e plastikave”, komunikacioni vazhdon të jetë i dendur. Kjo për shkak se makinat vazhdojnë të parkohen si në trotuare po ashtu edhe në korsitë ku duhet të qarkullohet. Vështirë e kanë të kalojnë edhe këmbësorët.”

Për të shmangur kaosin më të madh, për momentin në këtë bulevard vazhdimisht qëndron policia, por as kjo duket se nuk ka rezultate. Edhe këmbësorët e kanë të vështirë të lëvizin, kjo pasi përveç makinave të parkuara, në trotuare qëndron malli i shitoreve të kësaj rruge. Madje edhe tek pranë vizave të bardha.

Kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, thotë se pas rikonstriumit të bulevardit, vazhdojnë të ndërtojnë dy parkingje. Pasi ata të përfundojnë, nuk do të ketë tolerancë për parkim të gabuar. Shilegov shton se për trotuaret e uzurpuara me mallra duhet të kujdeset inspektorati i tregut.

“Paralelisht në dy lokacione në afërsi të rrugës punojmë në parkingje. Në momentin kur do të përfundohen parkimet, nuk do të lejojmë më tej, do të vendosim pengesa fizike, shtylla. Do të lirohen trotuaret nga automjetet e parkuara për shkak se do u ofrojmë qytetarëve alternativë që të hyjnë në parkingje që mendoj se është alternativë përkatëse. Shërbimet inspektuese të Qyteti të Shkupit dhe Komunës së Çairit kanë takim koordinues lidhur me pjesën për rendin se çka ndodh nëpër trotuare, unë pres se do të kemi aktivitet në këtë drejtim. Nëse duhet do të përziejmë edhe Inspektoratin e tregut”, tha Petre Shilegov, kryetari i Qytetit të Shkupit

Nga Komuna e Çairit, thonë se ekipet e inspektoratit të tregut kanë paralajmëruar tregtarët që mos të vendosin mallin në vendet e palejuara, ndërsa prej javës tjetër do të ketë edhe ndëshkime.

Komuna e Çairit:

“Ekipet e Inspektoratit të Komunës së Çairit bashkë me Inspektoratin Shtetëror të Tregut inspektuan në terren situatën … duke dhënë vërejtje për vijën e lejuar të ekspozimit të mallrave. Nga dita e hënë (04.05.2020) mosrespektimi i vijës së përcaktuar do të ndëshkohet sipas normave adekuate ligjore. Sa i përket çështjes së parkimit të veturave është arritur një marrëveshje me qytetarët e kësaj zone dhe afaristët për shfrytëzimin e një pjese të trotuarit si zonë parkimi deri në ndërtimin e parkingut të paraparë në kate”.

Sipas projektit për rikonstruimit të “rrugës së plastikave”, përveç se është parashikuar që trotuaret të jenë të lirë, po ashtu duhet të ketë edhe korsi për biçikleta. Për momentin vazhdojnë punimet edhe për rikontruimin e pjesës së dytë të bulevardit “Nikolla Karev”, respektivisht pjesa deri tek kazerma “Ilinden”.