Rreth 22 mijë euro u ka kushtuar kosovarëve “taksa” për ndihmat drejt Shqipërisë

Rreth 3 mijë automjete nga Kosova kanë shkuar gjatë ditës së djeshme në Shqipëri, të cilët kanë kaluar nëpër tri pika kufitare. Krejt ky udhëtim u ka kushtuar diku 21,770 euro në një drejtim.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovë, dhënë për Gazetën Insajderi, thuhet se në pikat kufitare Vërmicë, Qafë e Prushit dhe Qafë e Morinës, në total 2960 automjete kanë kaluar nëpër këto pika.

Vetura 2443, kamionë 333 dhe autobusë 184, shkruan Gazeta Insajderi.

2443 vetura të cilat paguan 5 euro për të shkuar u ka kushtuar diku 12,215 euro.

333 kamionëve, ku një drejtim është 22.5 euro u ka kushtuar 7,492.5 euro.

Ndërsa 184 autobusëve, ku një drejtim për ta është 11.2 euro u kanë kushtuar rreth 2,060.8 euro, shkruan Gazeta Insajderi.

Totali i këtij rrugëtimi për pagesën e taksës së rrugës së kombit kosovarëve u ka kushtuar diku 21,770.

Të gjitha këto vetura kanë paguar taksën e vendosur nga Shteti i Shqipërisë. Ndonëse shumica prej automjeteve kanë dërguar ndihma humanitare për të prekurit e tërmetit.

Pagesa e kësaj takse ka ngjallur reagim dje nga qytetarët si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, duke bërë presion për ta larguar.

Mirëpo kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një lidhje direket gjatë ditës së sotme ka dal kundër heqjes së taksës, duke thënë se për ata që dëshirojnë të kontribuojnë nuk janë asgjë pesë euro.

“Ajo shumë nuk është asgjë për ata që vijnë me zemër për të ndihmuar, nuk i bëjnë të mëdha. Është kontribut për të gjithë si për shtetin si për popullin”, ka thënë Rama.

Tarifa e kalimit në rrugën Durrës-Kukës u vendos për herë të parë gjatë vitit të kaluar në masën 5 euro për një kalim ose 10 euro vajtje-ardhje.

Kurse sot, kompania që menaxhon me rrugën e kombit e cila u ka marrë taksë çdo automjeti që ka shkuar nga Kosova me ndihma për Shqipërinë e prekur nga tërmetet në 24 orët e fundit, ka njoftuar se e ka hequr këtë takës.

“Ju informojmë se shoqëria koncensionare e autostradës Milot-Morinë (rruga e Kombit), duke filluar që nga dita e djeshme datë 26.11.2019 ka lejuar kalimin pa pagesë të të gjithë makinave (individ, shoqata, institucione të Kosovës, Shqipërisë etj), të cilët janë solidarizuar apo që kanë sjellë ndihma për të prekurit nga tërmeti. Këto grupe personash do të lejohen të kalojnë pa pagesë deri në përfundim të situatës emergjente”, thuhet ën njoftimin e Albanian Highway Concession.

Aktualisht, në Shqipëri janë duke qëndruar njësiti i kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ku janë duke punuar në gjetjen e trupave të pajetë, kurse në mëngjesin e sotëm janë nisur edhe 100 policë nga Kosova.

Shqipëria në mëngjesin e djeshëm është goditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitutën prej 6.4 shkallë, i cili la pasoja të mëdha dhe viktima në njerëz.