E ftuara e radhës në emisionin ‘Cult’ ishte Adriana Matoshi, e cila ka folur për filmat “Shpija e Agës”, “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” dhe “Zana”, ku aktorja ishte pjesë e tyre.

Ajo ka thënë se pasi përfundoi xhirimet e filmit “Zana”, iu desh të shkojë te psikologu për dy muaj, ndërkohë tregoi se pasi pa premierën për herë të parë në disa momente është frikësuar.

“Kam shkuar nja dy muaj edhe te psikologu mbasi që i kam kryer xhirimet për të dalë prej gjendjes emocionale se unë fillova të shoh ëndrra, ankthe”.

“Kur e kam parë premierën e filmit, unë nuk e kam parë çka kanë bërë ata në montazh edhe qysh kanë fut muzika sene, ka pasur momente kur unë ia bëja jo, jo, jo, jam tut, kam pas një dhimbje tepër shpirtërore edhe atë natë kam përfunduar duke fjetur me dritë ndezur se diçka tepër jam trishtuar”, citon KosovaPress fjalët e aktores.

Ndryshe, “Zana” synon festivalin prestigjioz “Oscar”, por Ministra e Kulturës ndau vetëm 15.000 euro për të gjithë aktorët. E për këtë Adriana ka kritika për ministrin në detyrë, për të cilin tha se nuk e ka parë asnjëherë në ndonjë shfaqje.

Nga ana tjetër, përveç punës si aktore, aktorja së fundmi u bë pjesë e tifo-grupit “Dardanët” duke përkrahur djelmoshat e ekipit të Kosovës.