Është regjistruar viktima e parë nga tërmeti i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë në orët e mëngjesit.

Nga nën rrënojat e një ndërtese banimi në Thumanë, në Fushë Krujë, është nxjerrë trupi i një gruaje më në moshë, e cila në krah po mbronte nipin e saj, të cilin për fat të mirë ekipet e shpëtimit e nxorën nga rrënojat dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

Në Durrës, të paktën edhe dhjetë persona janë ende të bllokuar në ndërtesën e rrënuar, të cilët ekipet e shpëtimit po tentojnë t’i nxjerrin.

Në Durrës, ku dëmet materiale janë shumë të mëdha, tashmë ka mbërritur kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ministri i Brendshëm, Sandër Leshaj.

Të gjitha institucionet shëndetësore dhe strukturat e tjera janë në gjendje mobile.

Pas dridhjes së parë në orën 3.56, me epiqendër në afërsi të Durrësit, me fuqi prej 6,4 shkallësh sipas Rihterit, janë regjistruar të paktën 15 goditje, por me fuqi më të vogël.

Tërmeti i sotëm është tërmeti më i fuqishëm i ndjerë në vend në 30 vitet e fundit. Bilanci i tërmetit të mëparshëm i cili gjithashtu ishte me epiqendër në Durrës, kishte më shumë se 100 të lënduar dhe mbi 300 shtëpi ishin të dëmtuara.