Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në reagimin e parë pas tërmetit të fuqishëm që e goditi vendin, vlerëson se ky është një moment dramatik dhe se bashkë do të përballen me të.

“Ky është një moment dramatik, duhet ta ruajmë qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri- tjetrit dhe bashkë të përballemi me gjendjen. Ne do të bëjmë çmos dhe me miqtë tanë ta tejkalojmë këtë situatë. Kurajë! Durim! Solidaritet”, ka shkruar Rama.

Ka edhe viktima, prandaj Rama shton se i gjithë shteti është në këmbë.

“Nga tërmeti i fuqishëm ka pasoja serioze dhe për keqardhje humbëm jetë njerëzish. Të gjitha strukturat e shtetit janë në funksion që nga momenti i parë i tërmetit. Intensivisht punohet në disa vende fatale në Durrës dhe Thuman që të shpëtohet çdo jetë e mundshme”, thekson Rama i cili nga mëngjesi i hershëm është në Durrës.

Sipas Institutit shqiptar për Sizmologji në periudhë prej katër orësh janë regjistruar më shumë se 100 goditje.