Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, ka folur pas zhvillimeve të djeshme dramatike në politikën kosovare që erdhën si pasojë e bërjes publike të aktakuzave kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli

Rama ka kritikuar në mënyrë të veçantë njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale, duke e cilësuar si një pamflet e tekst indinjues, që, sipas tij, të krijon përshtypjen se Kosova ka qenë vend agresor dhe jo një vend viktimë.

“Imagjinoni dikë që nuk di rrethanat e nënshtrimit të Kosovës, se çfarë perceptimi krijon kur të lexojë lajmet e djeshme. Në atë tekst, duket sikur lexon për atdheun e agresorëve, jo për vendin e viktimave të agresionit”, ka thënë Rama në Kuvend.

Rama ka thënë se njoftimi i Prokurorisë Speciale është edhe një veprim i pakuptueshëm sa i përket aspektit juridik.

“Dhe në fund të ditës, ai tekst indinjues, që nuk është aktakuza në vetvete, por është vetëm një prelud i pakuptueshëm në aspektin juridik dhe në aspektin e procedurës si një drejtësi e drejtë. Një prelude mediatik i një procesi që më pas vijon. Por si i tillë ngre një varg pikëpyetjesh. Pikëpyetje të rënda, jo vetëm mbi pastërtinë e liderëve politikë, por edhe mbi vetë kauzën e UÇK-së”, ka shtuar Rama.

Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se liderët e UÇK-së për më shumë se 21 vjet kanë jetuar mes lavdeve për drejtimin e luftës çlirimtare dhe mes akuzave për krime.

“Që nga njëra anë kanë drejtuar luftën çlirimtare dhe nga njëra anë kanë ngrënë njerëz e fëmijë e romë si kanibal”, ka shtuar ai.

Ndër të tjera Rama ka thënë se Thaçi, Rama, Haradinaj e gjithë UÇK-ja nuk kanë nevojë për mbrojtje publike, pasi që janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë historinë vetë.

“Përballë historisë as Thaçi, as Veseli e as Haradinaj, asnjë prej krejt të akuzuarve në 21 vjet, si dhe vetë UÇK-ja, s’kanë nevojë për mbrojtje publike. Sepse përtej kësaj tërkuze, të një gjyqësie eksperimentale ndërkombëtare, ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë historinë vetë, duke i dhënë asaj pa ndryshueshmërinë, si histori i çlirimit”, shprehet Rama.

Përveç tjerash ai thotë se duhet kujtuar se ka qenë lufta e UÇK-së, ajo që ka zgjuar ndërgjegjen e fjetur të botës demokratike.

“Na duhet të bëjmë një hulumtim të shpejtë në kujtesë, për ta sjellë në vëmendje, se edhe falë tyre u trondit ndërgjegjja e fjetur e botës demokratike”, ka shtuar kryeministri i Shqipërisë.