Qytetarët e Bashkimit Evropian në nivel vjetor harxhojnë rreth 30 miliardë euro në konsumimin e drogës. Në vend të parë nga lëndët narkotike gjendet kanabisi me 39 për qind.

Ky është konstatim i raportit të fundit të Observatorit Evropian të Drogës dhe Toksikomanisë, të publikuar sot.

Më 30 miliardë euro të harxhuara në vjet, lëndët narkotike janë njëri prej burimeve kryesore të krimit të organizuar, thekson Agjencia Evropiane.

Pas kanabisit i cili është në rend të parë të konsumimit, vijon kokaina me 31 për qind, heroina me 25 për qind, përderisa amfetaminat dhe MDMA përfshinë “vetëm” pesë për qind të tregut ilegal.

Lëndët narkotike janë çdoherë e më shumë në dispozicion, për arsye se çmimet e tyre bien, pasi që shtohet prodhimi, posaçërisht i kokainës në Amerikën Jugore dhe heroinës në Afganistan. Përderisa në Kontinentin e Evropës, kryesisht prodhohet kanabisi.

Ndërkohë, Ruta Ballkanike, është njëri prej korridoreve kryesor të futjes së heroinës në Bashkimin Evropian.

Mes tjerash në këtë raport thuhet se, qarkullimin prej 30 miliardë eurove nga shitja e drogës mes vete i ndajnë 1.500 grupe kriminele. Këto grupe kriminele kanë struktura ndërkombëtare më komplekse, me të cilën rëndohen puna e policisë. Këtë vit tre atelie të mëdha të prodhimit të amfetaminës u neutralizuan në Belgjikë dhe Holandë.

Grupet kriminele të cilët merren me prodhimin e lëndëve narkotike po ashtu janë më të dhunshme, gjegjësisht siç potencohet në këtë raport ata janë shumë të angazhuar në korruptimin e zyrtarëve publik dhe privat për t’u infiltruar në ekonominë legale.

Arsye tjetër e rritjes së prodhimit dhe konsumit të lëndëve narkotike janë teknologjitë e reja dhe shfrytëzimi i internet për shitje.

Grupet e krimit të organizuar shpejtë i përvetësojnë mundësitë e reja për profit financiar dhe shumë më tepër i eksplorojnë inovacionet teknologjike dhe logjistike për t’i zgjeruar aktivitetet e tyre ndërkombëtarisht. Njëkohësisht, lëndët narkotike janë në dispozicion për konsumatorët evropian, përmes rrjeteve sociale dhe internetit. Ky raport është dëshmi se edhe njëherë tregu ilegal i lëndëve narkotike mbetet kërcënim për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, theksoi komisari për Punë të Brendshme në BE, Dhimitrois Avramopulos.