Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), dje në seancë qeveritare ka formuar grup të punës, i cili do të jetë përgjegjës për të realizuar raport për “dëmet eventuale të inventarit” në Teatrin Kombëtar Maqedonas (TKM) gjatë Kremtimit të 30-vjetorit të grupit të tifozëve “Shvercerat” më 22 nëntor, nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme edhe pas pesë ditësh ende nuk ka përpiluar raport për dëmet të cilat u mveshen “Shvercerave”, 

Grupi i punës së Qeverisë, është i përbërë nga zëvendësministri i Kulturës, Vlladimir Llazovski, sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri dhe drejtoresha e TKM-së, Simona Urginovska. Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë, ky grup do të ketë për detyrë të dorëzojë te qeveria raport, i cili duhet të përmbajë edhe informacion përmbajtjesor dhe të detajuar për “dëmet eventuale të inventarit”.

“Qeveria e ka obliguar grupin e punës që deri te kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev të dorëzojë raport për mënyrën se si është aprovuar dhe realizuar organizimi i ngjarjes Kremtimi i 30-vjetorit të ekzistimit të grupit të tifozëve “Shvercerat” në Institucionin Nacional Teatri Kombëtar Maqedonas, në të cilin duhet të jetë informacioni përmbajtjesor dhe i detajuar për dëm eventual të inventarit”, thanë nga Qeveria.

Nga ana tjetër, nga MPB-ja për Portalb.mk sot arritën të japin prononcim për atë se çfarë ndodhi në TKM ditën e 22 nëntorit.

“Ende punohet në zbardhjen e rastit. Deri tash nuk kemi raport të përpiluar”, thanë nga MPB-ja.

Të pyetur se meqë problemi është për vlerësimin e dëmeve, a ka kamera në TKM që do të mund ta vlerësonin madhësinë e tyre, sipas MPB-së “do të duhej të kishte”. Kjo nënkupton se edhe MPB-ja deri tash nuk ka arritur të vlerësojë se a është dëmtuar inventari në TKM, nëse po, deri në çfarë lartësie është dëmi.

Përndryshe, në TKM, më 22 nëntor u realizuan dy ngjarje, Akademia Solemne për Ditën e Alfabetit Shqip dhe Kremtimi i 30-vjetorit të ekzistimit të grupit të tifozëve “Shvercerat”, por bujë nga në publik u bë përtë fundit.  Sipas drejtoreshë Urginovska, “Shvercerat” “kanë pasur sjellje vandale në sallë dhe kanë dëmtuar inventarin”, ndërkohë aktin e deklaruar vetëm nga ajo, dhe të paverifikuar deri tash nga MPB-ja, e kanë dënuar edhe nga vetë Qeveria.