Integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk ka asnjë alternativë tjetër, ndërsa Mini Shengeni Ballkanik duhet të përfshijë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndryshe na kthen në shekullin e VIII kur ndarjet ishin të theksuara. Kështu thotë në intervistën e fundvitit për gazetën KOHA, presidenti Stevo Pendarovski.

“Unë jam i vetmi nga politikanët nga Ballkani Perëndimor, ku menjëherë pas paraqitjes së iniciativës për Mini Shengenin në Novi Sad, kur u takuan presidentët e tre vendeve dhe kryeministrat – kisha rezerva dhe thashë se: “Nëse kjo është kompensim për anëtarësimin e vendit në BE, unë nuk dua ta mbështesë atë”. Ndërkaq më vonë erdhën porosi edhe nga Makroni dhe liderët tjerë evropian, praktikisht nga të gjithë se kjo nuk është kompensim për BE-në. Kjo është parapërgatitje për anëtarësim, pasi nëpërmjet iniciativave rajonale, ti përgatitesh për anëtarësim nesër dhe për bashkëpunim një organizatë të madhe. Mini Shengeni ka dobësi strukturore, probleme sistematike. Nuk mundet vetëm tre nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor të jenë brenda dhe ne të themi se kjo është iniciativë e shkëlqyeshme, ndërsa ne të gjithë jemi fqinjë. Ose të gjithë do të jenë, ose këto iniciativa – tre ndaj tre, apo katër ndaj tre, madje edhe pesë ndaj një – nuk do të ketë. Sepse kjo na kthen në shekullin e XVIII, kur kishte aleanca ballkanike nën ndikimin e forcave të mëdha.

Disa me një palë, e disa me një tjetër, dhe më pas ne në mes vete kacafyteshim. Ajo që është e mirë, është se iniciativa e Mini Shengenit është inicuar nga ballkanasit, nga vet ne. Nuk na ka thënë askush as nga Berlini, as nga Uashingtoni, Parisi… Megjithatë, të gjithë duhet të jenë brenda.

Dhashtë Zoti që të bëhen pjesë e kësaj iniciative të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, shoh që Mali i Zi po kyçet në Mini Shengen. Shpresoj se kur të bëhen të gjitha gjashtë vendet bashkë, duhet që gjatë gjithë kohës të përsërisim një çështje, kjo nuk është iniciativë për zëvendësimin e euro-integrimeve. Kjo nuk është kompensim për anëtarësim në BE. Edhe të gjitha vendet të kyçen nëse kjo është kompensim për euro-integrimet, unë do ti them STOP. Nuk dua asnjë kompensim për anëtarësimin e vendit në BE. Iniciativë rajonale, bashkëpunim rajonal, pse jo?”- është deklaruar presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.