Në Kosovë janë kujtuar qëndresa dhe sakrificat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 22 vite më parë, kur do të humbte jetën heroi kombëtar, Adem Jashari. Për kryeministrin Albin Kurti, familja Jasharaj ishin UÇK-ja dhe rënia e tyre pikë kthese për historinë.

Kosova ka përkujtuar 22-vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe të vdekjes së komandantit heroik, Adem Jashari, i rrethuar më 5 mars të vitit 1998 nga ushtria serbe në shtëpinë e tij në fshatin Prekaz.

Në seancën solemne të bojkotuar nga ministrat dhe deputetët e komunitetit serb, të pranishëm ishin vëllai i heroit dhe pasardhësit e tij.

Kryeministri Albin Kurti tha se pa rezistencën, luftën dhe qëndresën e tre brezave të Jasharajve, nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se kujtesa për heronjtë duhet të jetësojë idealet e tyre.

Sakrificat e shqiptarëve hapën të enjten orët e para të mësimit në shkolla, ndërsa presidenti i vendit, Hashim Thaçi, u ndau dekorata e medalje ushtareve që kontribuan dhe ranë në luftën për liri e pavarësi.

Në mesditë, në kazermën Adem Jashari parakaluan edhe trupat e ushtrisë së Kosovës, të përshëndetur nga krerët më të lartë të vendit.

Aktivitetet në kujtim të heroit kombëtar Jashari janë planifikuar të zgjatin deri ditën e shtunë, duke u përmbyllur me homazhe pranë familjes së tij.