Gratë në mjediset rurale të inkurajohen dhe të fillojnë biznes personal, të bëhen bartëse dhe kreatore të ekonomisë vendore, jo vetëm të jenë pjesë e saj, tha sot ministri i Bujqësisë, Trajan Dimovski dhe drejtori i Agjencisë për Pagesa, Nikollçe Babovski, duke kumtuar se është publikuar thirrja për grante për gratë që merren me bujqësi.

Thirrja publike e cila sipas, Dimovskit dhe Babovskit për herë të parë publikohet në vend, parashikon maksimum nga 180.000 denarë apo 3.000 euro mjete të pakthyeshme për parashtruesit e kërkesave, ndërsa afati i fundit për aplikim është 26 dhjetori i vitit 2019.

Qëllimi është përforcimi i grave rurale dhe përmirësimi i gjendjes së tyre ekonomike.

Mbështetja e projektuar është për investime në përpunimin e produkteve primare bujqësore, por edhe për blerjen e pajisjeve për aktivitete pas korrjes, si dhe shitjen e drejtpërdrejtë nga ferma.

Shfrytëzuesit e mjeteve mund të jenë ekonomi bujqësore bartës të të cilëve janë gra, persona juridik të drejtuar prej grave, gjegjësisht shoqërive tregtare apo tregtarëve – individual të regjistruar në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare, thotë Dimovski.

Tani për tani në vend janë regjistruar 170.000 bujq prej të cilëve rreth 20 për qind janë gra.