Partitë e vogla rrezikojnë që edhe këtë herë të dalin më të humburat nga reforma zgjedhore. Çdo herë që është ndërhyrë në Kod, partitë e mëdha i kanë bërë ndryshimet për të favorizuar veten dhe nuk është çudi që e njëjta gjë të ndodhë edhe me reformën aktuale.

Të gjitha partitë parimisht kanë rënë dakord që komisionerët të jenë të depolitizuar dhe të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që do t’i zgjedhë, siç mund të jenë qytetarë apo anëtarë të shoqërive civile. Por drejtimin e KQZ e ka partia më e madhe që është në pushtet dhe anëtarët e tjerë do të jenë nga partia opozitare më e madhe. Por sa efektive do jetë depolitizomi i komisionerëve? Duke ditur që në vendin tonë është e “modës” që politika të emërojë të vetët në komisione për monitorimin e zgjedhjeve dhe numërimin e votave, pritet që partitë të infiltrojnë njerëzit e tyre. Në zgjedhjet parlamentare të 2013, Sali Berisha e detyroi Edi Ramën që të miratonin ligjin e nëpunësit civil, për të mbrojtur punonjësit e vet. Ndërkohë me marrjen e pushtetit PS emëroi të vetët. E vetmja parti e cila nuk ka përfaqësim në shërbimin civil është LSI, pasi një pjesë e njerëzve të kësaj partie u kthyen me PS, kurse pjesa tjetër u shkarkua. Pra nëse komisionerë vendosen njerëz të shërbimit civil, me gjasë shumica do jenë të punësuar nga PD dhe PS.