E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Dhe kur një e drejtë e cila ligjërisht mbrohet, e njëjta shkelet dhe cenohet, duhet të ketë edhe përgjegjësi penale.

Qëllimi i dënimit sipas të gjitha konventave për të drejtat e njeriu duhet të jetë human dhe rehabilitues, duke mos anashkaluar asnjëherë qëllimin e tij social. Qëllim ky që po zhduket në sistemin penal të Maqedonisë së Veriut duke u shndërruar në qëllim të vetëm hakmarrjen ndaj kryerësit të veprës penale. Pra qëllimi që një person të privohet nga liria është që ai të riedukohet, risocializohet, të bëhet i dobishëm për rrethin familjar, dhe kur të lirohet të jetë më i përgjegjshëm për veprimet e tij në të ardhmen.

E kundërta e gjithë kësaj ndodhë në burgjet tona! Në vend se të riedukohen përballen me kushte të mjerueshme, në vend se të risocializohen përballen me sëmundje, dhe në vend se të lirohen ata përfundojnë me vdekje!

Kanë kaluar dy ditë nga vdekja e 22 vjeçarit në burgun e Kumanovës, dhe ende nuk kemi parë asnjë reagim për këtë rast. Për këtë shkak, Aleanca për Shqiptarët vendosi që edhe njëherë të kërkojë përgjegjësi penale për këtë rast dhe jo vetëm. Ekzistojnë me qindra raste ndër vite që të burgosurit në burgjet e Maqedonisë së Veriut përfundojnë me vdekje.

Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi penale për të gjitha rastet e keqtrajtimit dhe shkeljes së rëndë të të drejtave të të burgosurve!

Apelojmë deri te çdo organ kompetent, siç është edhe Avokati i Popullit që të reagojë dhe fillojë procedurat për shkelje të të drejtave, sepse L.M i riu 22 vjeçar në Kumanovë dy ditë para se të vdiste kishte kërkuar ndihmë mjekësore, që asnjëherë nuk iu dha!

Aleanca për Shqiptarët kërkon dorëheqjen e ministres së drejtësisë, Renata Deskoska për mos mbajtje të përgjegjësisë morale për vdekjen e të riut në Kumanovë si dhe mos sigurimin e të drejtave bazë të të burgosurve në burgje!

Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi nga ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe për mos sigurimin e të drejtës shëndetësore të burgosurve!

Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi nga ministri i arsimit, Arbër Ademi për mos ofrimin e kushteve mësimore për riedukim të të burgosurve!

Kujtojmë se, asnjë i burgosur nuk guxon të mbahet në burg pa u vërtetuar shëndeti i tij/saj i plotë, çdo i burgosur ka të drejtën e shërimit jashtë qelisë së burgut, çdo i burgosur ka të drejtë të vazhdojë jetën në kushte normale që nuk i rrezikojnë shëndetin, çdo i burgosur duhet të gëzojë çdo të drejtë shëndetësore që gëzojnë edhe ata që janë jashtë burgut, çdo i burgosur ka të drejtën e arsimit brenda burgut, çdo i burgosur ka të drejtë të jetojë!!

Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi jo vetëm morale, por edhe penale nga të gjithë personat përgjegjës për sigurinë e të burgosurve dhe kushteve në të cilat vuajnë dënimin ata.

Në Kodin Penal të Maqedonisë edhe pse nuk parashihet dënimi me vdekje, fatkeqësisht të burgosurit pa marrë parasysh krimit po vuajnë dënimin me vdekje, sepse po mbyten nga kushtet mizore dhe ky pushtet që nuk po ndërmerr asgjë për ta! Asnjëherë nuk duhet harruar se janë njerëz, para se të jenë të burgosur!

Aleanca për Shqiptarët