Alternativa nuk po pranon të ulet në tryezë trepalëshe për koalicion parazgjedhor, deklaroi Arjanit Hoxha nga BESA. Ai madje kërkoi nga Aleanca për Shqiptarët që t’i sqarojë publikut se pse nuk po arrihet koalicioni i iniciuar nga vetë ata.

“Pasi që iniciatorë i koalicionit trepalësh është Aleanca për Shqiptarët ndërsa ne si Lëvizje Besa kemi pranuar të ulemi të bisedojmë të tre partitë, duhet ASH t’i tregojë opinionit publik arsyet pse Alternativa nuk pranon bisedimet trepalëshe”, deklaroi sekretari gjeneral i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha.

Edhe Sekretari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi është deklaruar se nuk do të ulen në tavolinë me Besën, pasi siç tha, është filial i BDI-së.

“E vërteta është se ne kemi negociuar vetëm me Aleancën dhe me asnjë parti tjetër, as shqiptare dhe as maqedonase dhe kemi shfaqur gatishmëri të merremi vesh me Aleancën që të shkojmë bashkë në zgjedhje të parakohshme. E vërteta tjetër është se ne kemi thënë së nuk do të bashkëpunojmë në asnjë rast me BDI-në dhe filialet e saja të cilat ju i përmendet. Për mua, pos Aleancës për Shqiptarët, të gjitha partitë tjera shqiptare janë filiale të BDI-së”, tha Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa.