Ndryshim të rregullativës ligjore dhe lehtësim të procedurave për “import” të punëtorëve nga vendet tjera, për shembull nga Ukraina dhe Moldavia.

Këtë e kërkojnë hotelierët nga Ohri dhe Struga. Për Alsat thonë që masa e këtillë është e domosdoshme për shkak të mungesës së madhe të kuadrit cilësor dhe profesionist, para se gjithash kuzhinier dhe kamerierë. Tashmë janë realizuar bisedime preliminare me përfaqësues të Qeverisë.

“Bullgarët këtë problem e zgjidhin me angazhimin e fuqisë punëtore nga Ukraina dhe Moldavia, pa ta aspak s’mund ta përfundojnë sezonin turistik” – tha Pero Kutanoski, menaxher hoteli.

Problemi me mungesën e kuadrit hotelierik në këto dy destinacione turistike paraqitet për shkak se një numër i madh i këtyre profileve shkojnë për punë në Gjermani dhe Kroaci.

“Sivjet kishim probleme të mëdha nëpër të gjitha objektet, gjithashtu edhe tek unë. Disi arritëm t’ia dalim me fuqi më të re punëtore, por është e qartë që vitin e ardhshëm do të kemi problem më të madh dhe patjetër të kërkohet zgjidhje” – shprehet Pero Kutanoski- menaxher hoteli.

“Kemi probleme. Këtë vit është vërejtur, vitin e ardhshëm do të vërehet edhe më shumë. Tregu duhet të hapet. Të rinjtë tanë ose nuk janë këtu dhe largohen jashtë vendit, ose nuk kanë interes të punojnë në hotelieri”, deklaroi Ana Jançeva, menaxhere hoteli.

Hotelierët shtojnë se vazhdimisht i rrisin pagat për të punësuarit, por se megjithatë gjendja po bëhet edhe më alarmante. Problem shtesë është edhe fakti që një numër i madh i punonjësve aktual janë para pensionit ndërsa zëvendësimi i tyre me kuadër të ri shkon ngadalë.