Sërish protesta në Butel! Kryetari i Komunës shkarkon të punësuarin që ofendoi shqiptarët Me pankarta në duar që mbanin mbishkrimet “Dorëheqje”, “Barazi”, “Nga komunistë u bëtë fashistë” edhe sot një grup i të rinjve u gjendën para Komunës së Butelit për të dënuar publikisht gjuhës së urrejtjes dhe për të shprehur revoltën e tyre ndaj retorikës raciste të këshilltarit Mane Manojllovski i punësuar në komunën në fjalë. Reagimet e këtilla publike vendosën nën presion kreun e Butelit Velimir Smilevski i cili u detyrua të ndërpresë marrëdhënien e punës për këshilltarin e tij. Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook përmes së cilit është shprehur: “Në lidhje me ngjarjen e djeshme të pakëndshme me të punësuarin në Komunën e Butelit, ju informoj se nga sot, angazhimi i tij në punë që ishte i rregulluar me kontratë, është ndërprerë dhe i njëjti më nuk është i punësuar në Komunën e Butelit”.