Nevojitet vendosje urgjente e propozim-modelit për rehabilitim dhe riintegrim që do t’i përfshijë të gjitha aspektet të cilat janë të rëndësishme dhe kyçe në procesin e braktisjes së mjedisit të dhunshëm dhe fillimit të jetës së re, theksoi sot Elena Dimushevska, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare në panelin me temë “Propozim model për riintegrim dhe rehabilitim të grave viktima të dhunës familjare” që u mbajt në Shkup.

“Modeli i kyç pesë aspektet më të rëndësishme, e ato janë banimi, këshillimi psikologjik, mbështetja financiare, arsimi dhe trajnimet dhe ndihma gjatë punësimit. Ky është një proces që duhet t’i mbështesë gratë në sjelljen e vendimit, t’i inkurajojë të braktisin dhe të fillojnë jetë të re”, tha Dimushevska.

Sipas hulumtimit të fundit të OSBE-së që u publikua në maj të këtij viti, që u zbtua në vendet e Ballkanit Perëndimor, 60 për qind e viktimave të dhunës familjare ishin kontrolluar nga kryesi, nuk kishin apo kishin qasje të kontrolluar drejt financave dhe fëmijët e tyre ishin shfrytëzuar si mjet shantazhi për gruan për të mos e braktisur partnerin. Nga të gjitha gratë e anketuara, 19 për qind apo çdo e pesta grua është viktimë e dhunës ekonomike nga partneri, ndërsa gratë të cilat kanë pësuar dhunë familjare në të kaluarën, ndërkaq nuk ishin në mundësi të sigurojnë vendbanim apo ushqim për vete dhe fëmijët e vet për atë arsye nuk e kanë braktisur ambientin e dhunshëm, në 12 muajt e fundit, përkatësisht gjatë vitit 2018, sërish ishin të ekspozuara dhe u përballën me disa forma të dhunës familjare.

“Këto të dhëna na e tregojnë nevojën urgjente të domosdoshme për vendosje të një modeli të këtillë të rehabilitimit dhe asaj që me kënaqësi mund ta kumtoj është se si nen i posaçëm ka hyrë në Ligjin e ri për dhunë ndaj grave edhe dhuna familjare, që tani do të hyjë edhe në procedurë miratimi”, theksoi Dimushevska.

Kryetarja e Klubit të deputeteve në Kuvend, Gjylymser Kasapi theksoi se kjo ditë (Dita ndërkombëtare për luftë kundër dhunës ndaj grave) e shënon fillimin e fushatës në të cilën Klubi i deputeteve me këtë panel diskutim kyçet drejt aktivizmit për parandalim të dhunës ndaj grave dhe vajzave që do të zgjasë 10 ditë, ndërsa do të përfundojë me Ditën botërore të të drejtave të njeriut.

Shtoi se Klubi i deputeteve çdoherë ka vepruar me qëllim të përbashkët dhe të vetëm – përmes zgjidhjeve ligjore të arrijë barazi gjinore dhe avancim të të drejtave të grave