Zëvendëskryeministri i Qeverisë i angazhuar për çështje ekonomike Koço Angjushev dhe ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, sot morën pjesë në ngjarjen solemne në nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit fotovoltaik Osllomej, me fuqi të instaluar prej 10 MW, të inicializuar nga drejtori i SHA “Elektrana e Maqedonisë së Veriut” ,  Vasko Kovaçevski, dhe kryetari i Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes kontraktuese “Girishim Electrik”, Muhitin Behixh Harmanli.

Zëvendëskryeministri Angjushev, njofton Ministria e Ekonomisë potencoi se ky është fillimi dhe është një shembull i mirë për tranzicionit të energjisë, që nënkupton shndërrimin e kapaciteteve të gjenerimit të energjisë elektrike nga karburantet fosile, të cilat janë në fund të jetës së tyre, në kapacitet energjetik që prodhon energji elektrike nga burime të rinovueshme, më konkretisht në këtë rast ndërtimi i termocentralit fotovoltaik.

“Ky është vetëm fillimi i 10 megavatëve të parë të instaluar në termocentralet fotovoltaike. Edhe pse këto janë vetëm 10 megavatët e parë, ato janë rreth 50% e asaj që është bërë në 20 vitet e fundit në vendin tonë. Thjesht dua të kujtoj se në gjithë këto vite mbrapa në vendin tonë janë bërë vetëm 18 megavat fotovoltaikë, ndërsa tani me këto 10 megavat praktikisht është 50 për qind e gjithçkaje të bërë deri më tani. Por ky është vetëm fillimi dhe së shpejti pas kësaj do të ketë një tender të ri publik për 10 MW të ri në Osllomej dhe 2 tenderë shtesë për 50 MW të cilat do të bazohen në një partneritet publik-privat.

Dhjetë megavatët e dytë ashtu si këta 10 megavatë janë investim i ESM-së, ndërsa tenderi për PPP do të jetë 2 për 50 megavat e centraleve të instaluara fotovoltaike në vend të minierës së vjetër të qymyrit, e cila do të rikultivojë atë fushë sepse atje ka një tokë të shkatërruar që nuk mund të përdoret për asgjë tjetër dhe është thjesht një pamje e keqe që mund të shohim sot. Ne duam atë imazh të keq ta shndërrojmë në një imazh që do të ketë 120 megavat fuqi të instaluar fotovoltaike”, tha zëvendëskryeministri Angjushev.

Ministri Bekteshi, shtohet më tej në kumtesë ceku se në dy vitet e kaluara së bashku me Zëvendëskryeministrin Angjushev është krijuar një politikë plotësisht e re energjetike në Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo nuk është bërë vetëm në letër, por sot është edhe realitet.

“Termocentrali Osllomej nuk ka punuar me vite dhe ne tani pikërisht në fushën ku është shfrytëzuar qymyri fillojmë me investime që do të jenë jo vetëm në interes të sektorit të energjisë të vendit tonë, por edhe në interes të të gjithë qytetarëve që jetojnë në komunën e Kërçovës dhe rrethinë. Nga një strukturë ndotëse përmes ESM-së, shteti tani ndërton kapacitete që do të prodhojnë energji të pastër. Kapacitetet janë të pajisura me teknologjinë më të fundit dhe ne si Ministri e Ekonomisë do të vazhdojmë të punojmë në atë drejtim. Dhe kam nderin të deklaroj që vjeshtën e ardhshme do të kemi një kapacitet të ri që do të siguroj energji për afro 2,000 familje në Kërçovë”, theksoi Bekteshi.

Drejtori i EEM-së, Vasko Kovaçevski informoi se në tenderin ndërkombëtar janë paraqitur 17 kompani të cilat kanë shprehur interes që të ndërtojnë objektin.

Pas vlerësimit fillestar, 8 prej tyre hynë në një listë tjetër me kualifikim më të ngushtë. Në fund, sipas të gjithë parametrave të parashikuar në prokurimin publik u bë e ditur që ofertuesi më i mirë ishte Ndërmarrja Elektrike “Gırışım” e Turqisë, e cila edhe u përzgjodh dhe me të cilën u nënshkrua kontrata e ndërtimit.

“Nga ky moment dhe më tutje, operatori ekonomik që është përzgjedhur merr përsipër punën dhe të gjitha angazhimet e projektit, ndërsa ne presim që sipas kontratë termocentrali të jetë gati në periudhë prej 10 muajve dhe të fillojë prodhimin e kilovatëve të parë të energjisë elektrike nga dielli në vjeshtë të vitit 2020. Do të dëshiroja gjithashtu të falënderoja Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ndihmën e dhënë në zbatimin e projektit, pra nga shuma totale prej 6.9 milionë euro, 5.9 milionë euro është një kredi e marrë nga ta dhe 1 milionë euro janë mjetet e tona, do të thotë, të SHA EEM, “tha Kovaçevski.

Kryetari i Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes kontraktuese Muhitin Behixh Harmanli tha se përveç Turqisë, kompania ka zyra përfaqësuese në 7 shtete të ndryshme dhe operon në fushën e tregtisë me energji elektrike.

“Termocentrali më i madh fotovoltaik në Algjerisë me një kapacitet prej 1,200 MW është ndërtuar nga kompania jonë. Në Marakesh po ashtu kemi një termocentral fotovoltaik të ndërtuar nga kompania jonë. Në Turqi, deri më tani, ne kemi punuar kryesisht me parqet e erës për energjinë e rinovueshme. Kemi ndërtuar impiante të ndryshme dhe ishim pjesë e projektimit dhe instalimit të vetë impianteve dhe rreth 3.5 gigavat orë energji elektrike në Turqi na takon neve. Ne jemi gjithashtu të pranishëm në Holandë. Kemi projekte të ndryshme që jemi duke ndërmarrë dhe do të vazhdojmë në atë drejtim”, theksoi Harmanli.