Në Shqipëri janë konfirmuar dy raste të reja të personave të infektuar me koronavirus, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve është ngritur në 12 persona.

“Janë bërë 43 teste të reja, vetëm dy raste janë pozitive. Njëri ka qenë në kontakt me të infektuarit e parë, babë e bir në Tiranë, derisa personi tjetër është më i moshuar nga Lushnja i cili është kthyer nga Bergamo, Itali. Deri më sot janë testuar gjithsej 157 persona të dyshuar me Kovid-19 ndërsa deri më tani vetëm 12 janë pozitiv, prej të cilëve nëntë persona kanë pasur kontakt me të infektuarit e parë”, u shpreh zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, në konferencën për shtyp të rregullt.

Ajo shtoi se 104 persona të cilët kanë kontaktuar me tashmë të infektuarit janë në izolim shtëpiak, në mes tyre dhe punëtorët shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë sot lëshoi urdhër të ri me të cilën deri më 3 prill u vendoset dry dyerve të klubeve të natës, objekteve të lojërave për fëmijë, qendrave sportive, pishinave, internet-klubeve, qendrave të kulturës, bareve dhe disko-klubeve.