Pesë persona të rritur dhe dy fëmijë të mitur, të gjithë nga Turqia, janë arrestuar mbrëmë në orën 01:50 sepse gjatë kontrollit janë prezantuar si shtetas izraelitë dhe kanë treguar dokumente udhëtimi izraelite. Personat, siç kumtoi MPB, janë hasur në pompën e benzinës në afërsi të vendkalimit kufitar “Bllace e Poshtme”. Bëhet fjalë për K.S.(20), K.S.(46), J.M.M(42), N.T.(46) dhe A.S.(27). Edhe ata edhe fëmijët u janë dorëzuar Sektorit për krim tejkufitar, emigracion, të huaj dhe riatdhesim, për procedurë të mëtutjeshme.

Policia informoi edhe se mbrëmë është privuar nga liria T.S.(68) nga fshati Bogorodicë, pasi që në automjetin e tij janë gjetur dy persona nga Turqia me vula dalëse dhe hyrëse të falsifikuara. Bëhet fjalë për E.K.(35) dhe A.I.(25) të cilët kanë kryer vepër penale “falsifikim të dokumentit”. Sipas MPB, T.S. i ka bartur E.K.(35) dhe A.I. në automjetin transportues “mercedes” me targa të Gjevgjelisë në autostradën A1 – rrethrrotullimi Miravci. Policia e arrestoi në orën 01:00 pas mesnate, ndërsa personat janë dorëzuar në Stacionin policor – Gjevgjeli për procedurë të mëtutjeshme.