Në Kosovë gjatë ditës së djeshme janë regjistruar rekord 79 raste të reja të koronavirusit për një natë, me ç’rast numri i përgjithshëm i të sëmurëve nga Kovid-19 në vend është rritur në 362, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sipas kumtesës së mbrëmshme të Institutit Kombëtar për Shëndet Publik të Kosovës (IKSHPK) më së shumti të infektuar, 35, janë evidentuar në komunën e Ferizajit (gjithsej 55) e cila me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë prej të shtunës është vendosur në karantinë. Vijon Prizreni me 16 raste të reja, Vitia me gjashtë, Gjilani me tri, Malisheva me dy dhe disa komuna janë me nga një rast të ri të koronavirusit.

Në Komunën e Prishtinës, e cila pas 20-të të infektuarve që pardje u konfirmuan, është vendosur në regjim të karantinës, dje nuk është konfirmuar asnjë rast i ri nga gjithsej 40-të banorët të cilët janë testuar.

Përveç Prishtinës dhe Ferizajit, dje, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe autoriteteve lokale, në karantinë janë vendosur edhe komunat Prizren dhe Suharekë.

Gjithsej të dielën në laboratorin e mikrobiologjisë molekulare të ISHPK-së janë ekzaminuar 250 ekzemplarë të personave për të cilët kishte dyshime se janë infektuar me virusin e ri, e ç’rast numri i personave të testuar nga 8 shkurt, përfshirë ditën e djeshme, arriti në 3.526.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar shtatë raste të vdekjes si viktima të epidemisë, ndërsa si të shëruar në të njëjtën periudhë janë evidentuar 59 persona.