Komuna e Gostivarit në shenjë solidariteti me banorët e rajoneve  të cilat ishin goditur nga tërmeti në Shqipërinë fqinje,  organizuan aksion humanitar për ndihmë  dhe u bënë thirrje qytetarëve të përfshihen në mbledhjen e ndihmës materiale.

Në thirrjen e vetëqeverisjes lokale citohet se qytetarët mund të dhurojnë  preparate mjekësore, prodhime ushqimore si ushqim i konservuar, miell, sheqer, kripë, vaj, oriz mjete higjienike, batanije, dyshekë, jastëkë dhe tenda për akomodim të përkohshëm.

Donacionet do të mblidhen në objektin e Njësisë territoriale të zjarrfikësve në Gostivar gjatë  ditës së sotme dhe të nesërme (27 dhe 28 nëntor) deri në orën 12:00.

“Shfaqim shpresë se ky aksion  do të jetë i suksesshëm dhe do ta zbusë dhimbjen e familjeve të goditura. Ekipi i zjarrfikësve  tashmë është dërguar  të përfshihet në dhënien e ndihmës në rrethinën e Durrësit, ndërsa komuna ka dhuruar 300 batanije”, tha Valbon Limani shef i kabinetit të kryetarit të komunës.

Në shenjë keqardhje me tragjedinë e cila erdhi pas katastrofës, flamujt në Gostivar janë lëshuar në gjysmështizë, ndërsa autoritetet lokale i anuluan ngjarjet me rastin e Ditës së flamurit shqiptar.

Gjatë ditës duhet të mbahet edhe seancë e jashtëzakonshme e këshillit të komunave me një pikë  në rend dite  me të cilën duhet të ndahen mjetet financiare për të pësuarit në dridhjen  në vlerë prej 620 mijë denarë.