Deri në fund të janarit ose fillim të shkurtit do të dihet plotësisht metodologjia sipas së cilës do të përcaktohet gjendja pronësore e gjykatësve. Mirëpo, nëpër proces nuk do të kalojnë të gjithë gjykatësit, por vetëm ato të cilët do të gjenden në “listë”. Listën e përgatit Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor Republikan (KGJR).

Siç njoftoi sot kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Biljana Ivanovska, në fazë përfundimtare është definimi i kritereve me të cilat do të hartohet lista, ndërsa ato zakonisht referohen në atë se cili gjykatës më së shumti i mbajti lëndët, i cili tashmë ka qenë para KGJR-së, për të cilin ka më shumë ankesa nga qytetarët. Në konsideratë do të merret gjithashtu edhe mënyra e shpërndarjes së lëndëve.

Sipas Ivanovskës, në listën do të përfshihen edhe gjykatësit për të cilët deri te KSHPK-ja kanë ardhur ankesa nga qytetarët.

“Ne nuk kemi paralajmëruar veting në tërësi. Thamë se do të arrinim deri aty ku është kompetenca jonë, ndërsa ai është hulumtim i gjendjes pronësore. Me faktin se bëhet fjalë për një numër të madh të gjykatësve, 600 – 700, është absurde të merresh me të gjithë. Punojmë në metodologjinë për zgjedhjen e ekzemplarëve së bashku me Këshillin Gjyqësor Republikan (KGJR), i cili duhet të na sigurojë të dhënat pas së cilave, në fakt, do të konstatojmë se cilët gjykatës do të jenë lëndë e punës sonë”, deklaroi Ivanovska, duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para konferencës vjetore si pjesë e projektit “Së bashku kundër korrupsionit”.

KSHPK për momentin i pret të dhënat nga KGJR-ja.

“Do të bëjmë listë të gjykatësve dhe prokurorëve në të cilat do të punojmë. Po i definojmë hapat me KGJR-në. Kishim takime periudhën e kaluar, u dakorduam rreth kritereve dhe vendosëm disa baza si pikë referimi. Tani po i presim të dhënat nga KGJR, të cilat duhet të arrijnë së shpejti. Për të gjitha dokumentet që i kërkojmë kemi 15 ditë afat. Synimi ynë është të hartojmë një plan vjetor në javën e parë të shkurtit. Shpresojmë se do të kemi sukses”, tha kryetarja e Komisionit.